Donacion për shëndetësinë në Kamenicë, QKMF pajiset me autoambulancë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë është pajisur me një autoambulancë të re, donacion nga bashkatdhetari Muhamet Fazliu, me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe reagimin më të shpejtë në raste emergjente.
Dorëzimi i autoambulancës është bërë në një ceremoni zyrtare në Komunën e Kamenicës, në prani të përfaqësuesve institucionalë dhe donatorit. Ky donacion është realizuar pas bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Shëndetësisë dhe vetë donatorit.
Autoambulanca i është dorëzuar Drejtorit të QKMF-së në Kamenicë, Latif Sylaj, dhe do të shërbejë për forcimin e kapaciteteve në ofrimin e kujdesit emergjent për qytetarët.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, ka falënderuar donatorin për kontributin e dhënë, duke vlerësuar lidhjen e diasporës me vendlindjen.
“Falënderoj sinqerisht bashkatdhetarin Muhamet Fazliu për këtë kontribut shumë të rëndësishëm për komunën tonë. Mbështetja e vazhdueshme e diasporës është dëshmi e lidhjes së fortë me vendlindjen dhe një ndihmë konkrete për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët tanë”, ka deklaruar Rahimaj.
Ndërkaq, Drejtori i Shëndetësisë, Besart Kryeziu, ka theksuar se ky donacion do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së shërbimeve emergjente dhe në përmirësimin e kohës së reagimit në raste urgjente.
Autoritetet komunale kanë vlerësuar këtë iniciativë si shembull të rëndësishëm të solidaritetit dhe kontributit të diasporës në forcimin e shërbimeve publike në vend. /Telegrafi/




















































