LAJMI I FUNDIT:

DON KISHOTI

DON KISHOTI

Poezi nga: Nazim Hikmet
Përktheu: Maksim Rakipaj

Kalorës i rinisë së përjetëshme
ndoqi, rreth të pesëdhjetave,
ligjin që pat më fort për zemër.
Një mëngjez korriku u nis
për fitoren e së bukurës, së vërtetës, së drejtës.
Para tij qe bota
me ata gjigandë të llahtarshëm e të shpifur,
hipur mbi Rosinantin
e trishtë dhe guximtar.


E di, kur ajo ndjenjë të përfshin
dhe zemra e ndershme është,
s’ke ç’i bën Don Kishot,
s’ke ç’i bën,
do të ndeshesh patjetër
me mullinjtë e erës.

Dhe sa për Dylqinjën, të drejtë ke,
është më e bukura në botë
dhe sigurisht, Don Kishot,
duhej këtë t’ia ulurije
mu në surrat hanxhinjve
dhe pastaj, merret vesh,
ata ta hynin vënçe
dhe turijtë t’i bënin përshesh.

Por ti je kalorës i pathyer i të eturve
si flakë do të jetosh gjithmonë
me parzmoren e rëndë prej hekuri
dhe jotja Dylqinjë
m’e bukur bëhet çdo ditë.