Don Kishoti i papërfunduar i Orson Wellesit


Nga: Stephen Burgen / The Guardian (titulli: Done Quixote? Film archivists on quest to finish Orson Welles passion project)
Përkthimi: Telegrafi.com
Më shumë se 70 vjet pasi ai xhiroi sekuencat e para, projekti ambicioz i Orson Wellesit për të sjellë Don Kishotin në ekranin e madh, mund të përfundojë - më në fund - falë një konsorciumi të arkivistëve evropianë të filmit.
Oja Kodar, partnerja dhe bashkëpunëtorja e regjisorit amerikan, ka dhënë bekimin e saj për projektin e udhëhequr nga arkivat në Francë, Spanjë dhe Itali, së bashku me muzeun e filmit në Munih, për të prodhuar një film koherent nga 30 orë filmime të shpërndara mes tyre.
Interpretimi që Wellesi i bëri romanit klasik të Miguel de Cervantesit, nisi në vitin 1957 si një film televiziv i financuar nga Frank Sinatra, por ky plan dështoi. Pas kësaj, Wellesi punoi për të pothuajse deri në ditën kur vdiq në vitin 1985, duke xhiruar skena në Meksikë, Itali dhe Spanjë - sa herë që mund të gjente një financues.
Ekipi i ngarkuar me rindërtimin e filmit, i udhëhequr nga Esteve Riambau, një autoritet i njohur për Wellesin dhe ish-drejtues i arkivit katalunas të filmit, ka mjaft punë të vështirë përpara. Si fillim, Cineteca Nazionale në Romë duhet të digjitalizojë 50 000 metra negativë për t'ia shtuar 50 000 metrave film në 16mm dhe 35mm që zotërohen nga Spanja dhe 80 minutave xhirim në 35mm në Francë.
“Nuk kemi skenar të plotë, por kemi mjaftueshëm për ta rindërtuar atë,“ tha Riambau. “Gjysma e materialit është në formën e negativit në Romë, i cili duhet të printohet përpara se ta shohim.”

Duke qenë se skenat u xhiruan në tri vende nga viti 1956 deri në 1976, projekti duhet të shihet si një punë në proces e sipër, shtoi ai. “Do të ishte e habitshme të zbulonim se çdo skenë është xhiruar, por mendoj se ka mjaftueshëm. Është e vështirë të thuhet se çfarë donte [Wellesi] përfundimisht, sepse në skenar ka skena alternative, por ne do të punojmë me atë që kemi. Nuk do të shpikim asgjë apo të përdorim efekte speciale për të plotësuar mangësitë. Nuk po punojmë me hipoteza. Ideja është të shfaqim origjinalin aq sa është e mundur, por kjo është si të punosh me një mozaik ku mungojnë disa pjesë.”
I botuar për herë të parë në vitin 1605, romani i Cervantesit tregon historinë e Don Kishotit, një fisniku të vogël i cili kalon një sërë aventurash teksa bën një jetë fantastike si kalorës - i shoqëruar nga ndihmësi i tij, Sanço Panço. Ai konsiderohet si romani i parë modern.
Vështirë se filmi mund të quhet version besnik i veprës së Cervantesit. “Ka disa skena hapëse që janë besnike ndaj librit, por ka të tjera që janë, le të themi, të pasuruara,” tha Riambau. “Për shembull, skena me teatrin e kukullave në roman - ku Don Kishoti mendon se heroina është në rrezik, nxjerr shpatën dhe fillon t'u presë kokat kukullave - në film është vendosur në një kinema në Meksikë, ku ai sulmon ekranin për të shpëtuar heroinën.”

Shumica e filmimeve janë në bardhezi, megjithëse disa skena janë xhiruar me ngjyra në Andaluzi. Edhe kolona zanore është gjithashtu e paplotë, por aty ku ekziston, zërat e Don Kishotit dhe Sanço Panços janë dubluar nga vetë Wellesi.
Wellesi ishte bashkëskenarist, producent, regjisor dhe luajti në filmin e tij të parë, Qytetari Kejn [Citizen Kane, 1941], i cili edhe sot e kësaj dite kryeson rregullisht sondazhet për filmat më të mirë të të gjitha kohërave. Ai vazhdoi të bënte regjinë e shumë produksioneve të tjera kinematografike dhe skenike, përfshirë A Touch of Evil (1958), si dhe luajti në filma të tillë si The Third Man (1949) dhe A Man for All Seasons (1966).
“Për mua, Wellesi është shumë më tepër se një regjisor, ai i ngjan më shumë Michelangelos,” tha Riambau, i cili nuk ka asnjë dyshim se Don Kishoti do të jetë një shtesë e rëndësishme në korpusin tashmë të gjerë të veprave të Wellesit.
Wellesi e quante këtë projekt bambinon (foshnjën) e tij dhe shkroi disa versione të skenarit, çka sugjeron se ishte i pasigurt se si ta përfundonte. Se sa kohë do t'u duhet pasardhësve të tij për ta përfunduar atë, kjo mbetet një pyetje e hapur.
Riambau tha se Wellesi bënte shaka duke thënë se do t'ia ndryshonte titullin filmit në “kur do ta përfundonte Don Kishotin?”
“Kështu që edhe unë do të thosha të njëjtën gjë: ‘kur do ta shohim rindërtimin e Don Kishotit?’ Dhe, përgjigjja është: Mendoj se do të na duhet kohë të paktën deri në vitin 2028.” /Telegrafi/






































