LAJMI I FUNDIT:

Dokumentari kosovar do të shfaqet në një nga festivalet më prestigjioze të dokumentarëve

Dokumentari kosovar do të shfaqet në një nga festivalet më prestigjioze të dokumentarëve

Filmi dokumentar “Shtëpia e Batushës”, i bashkëprodhuar nga kompania zvicerane “Glimmann/Gollob” dhe ajo kosovare “Ikonë-Studio” nga Kosova,  është pranuar në festivalin Vision du Reel në Nyon të Zvicrës, një ndër pesë festivalet më të mëdha të filmave dokumentarë.

Filmi dokumentar është bashkëprodhim në mes Zvicrës dhe Kosovës dhe njëkohësisht shënon bashkëpunimin e parë kinematografik në mes të këtyre dy vendeve.


“Shtëpia e Batushës” ka për tematikë stilin unik arkitektonik të shtëpisë së Kadri Batushës në Prishtinë duke pasqyruar mënyrën kaotike dhe kreative se si kjo shtëpi është ndërtuar dhe modifikuar gjatë 15 viteve të fundit.

bat

Tregimi i historisë së shtëpisë dhe personalitetit të Kadri Batushës, i ka shtyrë regjisorët dhe producentët zviceranë, Timo Glimmann dhe Jan Gollob, të tregojnë historinë e rezistencës politike në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta, si dhe të ndërtojnë paralele në mes së arkitekturës së shtëpisë dhe zhvillimit kaotik urban dhe shoqëror në Kosovë, në periudhën e pasluftës.

Filmi “Shtëpia e Batushës” është bashkëprodhuar në Kosovë nga Ikonë-Studio, kompani e cila ka qenë dhe është e përfshirë në projektet më të suksesshme të bashkëprodhimit ndërkombëtar me përfshirjen kinematografike të Kosovës.

Filmi ka ndezur interesim të lartë nga festivalit e filmit dokumentar me renome botërore, dhe bisedat janë duke u zhvilluar për shitje dhe distribucion global të filmit me studio televizive anembanë globit.