Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar një operacion kontrolli në qytetin e Pejës, në ambientet e një barnatoreje që dyshohej për veprimtari të kundërligjshme.

Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një hapësirë të improvizuar – bunker, ku janë gjetur dhe sekuestruar 468 pako barnash me banderola të shteteve të huaja, të kontrabanduara në territorin e Republikës së Kosovës, përcjell Telegrafi.




Barnat e gjetura nuk kishin asnjë dokumentacion që dëshmonte origjinën apo importin ligjor dhe dyshohet se janë futur në vend përmes kanaleve të jashtëligjshme, duke shmangur kontrollet doganore dhe standardet e sigurisë farmaceutike.

Dogana e Kosovës ka nisur procedurat hetimore dhe rasti po trajtohet në bashkëpunim me institucionet kompetente. Në njoftim theksohet se Dogana mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe sigurimin e tregut të brendshëm nga produktet e paligjshme. /Telegrafi/