Familjarë, miq, kolegë e bashkëpunëtorë ishin mbledhur sot në Teatrin e Qytetit të Prishtinës – “Dodona”, për të kujtuar jetën, veprën dhe punën e regjisorit dhe aktorit të mirënjohur të Kosovës, Smail Imeri, i cili para dy ditësh ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare.

Regjisorja Melihate Qena ka thënë se ekzistenca e teatrit “Dodona” nuk do të ishte pa vizionar si Smail Imeri, i cili ishte dora e djathtë e më meritores për këtë projekt të madh për Prishtinën dhe Kosovën, znj. Rabije Bajrami, e cila ishte e pranishëm në këtë përkujtim.

Ndërsa, Bejtë Jusufi, bashkëpunëtor i Imerit, thotë se vdekja e tij do të jetë humbje e madhe për kinematografinë shqiptare, por edhe motiv për brezat e rinj.

Gjatë kësaj mbledhje komemorative në teatrin “Dodona”, u shfaq edhe një dokumentar për jetën dhe veprën e Imerit, regjisor i së cilit ishte Kastriot Saqipi.

Smail Imeri nuk njihet vetëm si njëri ndër themelues i Teatrit “Dodona”, por njihet për vepra të shumta në kinematografinë shqiptare, ku ai ishte autor i dokumentarin “Duart e pastra” (1981), filmit televiziv “Migjeni” (1989), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), si dhe shumë realizime tjera artistike, në teatër e televizione.

Ai ndërroi jetë më 14 korrik 2016, në Stokholm të Suedisë.

Libri i Zisë për nder të tij, mbetet i hapur edhe në ditët në vijim në Teatrin “Dodona”. /Tribuna Channel/