Ish-presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, tha se nuk do ta njihte vendimin e institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës që i hoqi mandatin, duke theksuar se do të respektonte vetëm "vullnetin e popullit serb".

"Ata nuk e respektuan Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës, nuk e respektuan Kushtetutën e Republikës Srpska, nuk e respektuan ligjin dhe unë duhet ta respektoj mungesën e respektit të tyre për gjithçka! Nuk do ta respektoj. Do ta respektoj vullnetin e popullit serb", tha Dodik.


Ai tha se nuk ka ndërmend të jetë, siç tha, "i nënshtruar" ndaj vendimeve të bashkësisë ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.

"Ju ishit arrogant dhe prisni që unë të jem i nënshtruar. Nuk do të jem. Unë jam presidenti i Republikës Srpska dhe ju shkruani çfarë të doni. Unë u zgjodha nga populli, nuk do të zëvendësohem nga një qeveri e huaj! Ju keni rrugën tuaj, ne do të bëjmë tonën. Shpresoj që rrugët tona të mos kryqëzohen", tha Dodik.

Divizioni i Apelit i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës hodhi poshtë ankesën e Milorad Dodik kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhor (KQZ) për t'i hequr atij mandatin si president i Republikës Srpska.

Kjo konfirmoi se Dodik nuk e mban më atë pozicion dhe KQZ është e detyruar të shpallë zgjedhje të parakohshme për presidentin e entitetit.

KQZ kishte marrë më parë një vendim për të ndërprerë mandatin e tij, por ky vendim mund të hynte në fuqi vetëm pas konfirmimit nga Divizioni i Apelit i Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës.

Refuzimi i ankesës nga avokatët e Dodik hoqi pengesën e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve.

Megjithatë, Dodik njoftoi më herët sot në Banja Lluka se një referendum do të mbahet në fund të shtatorit, në të cilin qytetarët e RS duhet të vendosin nëse pranojnë që Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë të marrë vendime dhe nëse e njohin vendimin që e shkarkoi atë. /Telegrafi/