LAJMI I FUNDIT:

Djegia e xhamisë në Magurë të Lipjanit, banorët thonë se azilantët pinin hashash aty

Djegia e xhamisë në Magurë të Lipjanit, banorët thonë se azilantët pinin hashash aty

Xhamia e fshatit Magurë të Lipjanit u përfshi sot nga zjarri. Banorët thonë se aty po qëndronin emigrantë, teksa kanë dyshime se zjarri ishte i qëllimshëm. Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim thonë se është shumë herët të identifikohen rrethanat e ngjarjes.

Në orët e hershme të mëngjesit është djegur xhamia më e vjetër në fshatin Magurë të Lipjanit.


Banorët që jetojnë në afërsi të kësaj xhamie thonë se aty qëndronin emigrantët dhe se zjarri mund të ishte i qëllimshëm.

“Kjo është xhami e vjetër në të cilën nuk falej askush. Këtë xhami e kanë përdorur azilantët ku kanë pirë edhe hashash e gjëra tjera”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Rexhep Gashi, përcjell Telegrafi.

E kur mbërritën policia dhe zjarrfikësit në vendin e ngjarjes tashmë zjarri veçse kishte pushtuar pjesën më të madhe të xhamisë, tregon drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Lipjanit, Nazim Gashi.

“Rreth orës 9:00 njësiti i zjarrfikësve ka pranuar informatën për zjarr në atë objekt, të cilët me shpejtësinë maksimale të mundshme kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Zjarrfikësit kanë intervenuar me dy cisterna të njëpasnjëshme, por për fat të keq njoftimin për zjarr e kemi marrë me vonesë”, deklaroi Nazim Gashi.

Sipas banorëve të fshatit, emigrantët të cilët kanë qëndruar në xhami, kanë krijuar edhe shumë probleme të tjera në fshat./RTV Dukagjini/Telegrafi/