Sot duke filluar nga ora 17:00 në sheshin "Skënderbeu", veteranët e luftës kanë organizuar një protestë për të kundërshtuar veprimet e Gjykatës Speciale.

Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në protestë, transmeton Telegrafi.


"Protestoni sot, bashkë me ne! Jo thjesht për individët, por për atë që secili prej tyre përfaqëson: luftën e shenjtë dhe të shtrenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Protestoni sot, kundër padrejtësisë. Kundër politikave të Beogradit, që kanë për qëllim ta barazojnë viktimën me agresorin më të madh të Ballkanit", ka shkruar Krasniqi.

Në Facebook, ai ka shkruar "Protestoni sot bashkë me ne, sepse ndërsa jeta vazhdoi dhe ne po e jetojmë rehatinë që na e solli lufta e UÇK-së, ata po e jetojnë padrejtësinë më të madhe".

"Larg atdheut, ata përjetuan vdekjen e prindërve e vëllezërve. Fëmijët u rritën, disa u martuan, e babai u bë edhe gjysh. Megjithëse larg atdheut, ata nuk u dorëzuan, e nuk do të dorëzohemi as ne. Sot ata kanë më shumë flokë të thinjura e më shumë rrudha në ballë, por janë më të bashkuar se kurrë dhe më të bashkuar duhet të jemi edhe ne", pohoi ai.

Krasniqi shkroi tutje se ata kanë luftuar për ne.

"E ne sot e kemi obligim moral dhe kombëtar të protestojmë për ta. Kjo është thirrja jonë për drejtësi. Sepse nëse ka drejtësi, s’mund të gjykohet lufta e drejtë e një populli, heronjtë e saj, ndërsa të mbesin të lirë kriminelët serbë"./Telegrafi/