Dizajneri i parë i hipermakinave në Afrikë po kthehet me projekte edhe më ambicioze

Dizajneri maroken Abdesslam Laraki, i njohur për krijimin e supermakinës së parë afrikane Fulgura dhe hypermakinës Sahara, po rikthehet me projekte edhe më ambicioze.
Modeli i tij i ri, Grace, është një veturë elektrike ultra e lehtë me dizajn të frymëzuar nga Bugatti Type 35B, fituesi i Çmimit të Madh të Monakos në vitin 1929.
Fillimisht e krijuar si një makinë unike për një ankand bamirësie në Monako, Grace pati sukses të menjëhershëm dhe tashmë po përgatitet për prodhim.
Vetëm 250 njësi do të ndërtohen në Casablanca duke nisur nga viti 2026, me çmim fillestar prej 250 mijë dollarësh.
Paralelisht, Laraki po zhvillon edhe AEON-1, një EV sportiv që pritet të arrijë deri në 354 kilometra në orë.
Ai synon ta bëjë këtë model sa më të lehtë, me shasi karboni dhe një kuti ingranazhesh me shtatë shpejtësi për një përvojë klasike drejtimi.
Këto projekte shënojnë një tjetër hap të rëndësishëm në përpjekjen e Laraki për ta vendosur Marokun në hartën e prodhimit të veturave të nivelit të lartë.
Sipas tij, ambicia e fundit është që Laraki Automobiles të bëhet prodhuesi i parë afrikan i automobilave premium. /Telegrafi/

















































