LAJMI I FUNDIT:

DITA KUR ISHIM QEN

DITA KUR ISHIM QEN

Nga: Elena Garro
Përktheu: Bajram Karabolli

Edhe pse nisi si gjithë ditët e tjera, dita që ishim qen nuk ishte ndonjë ditë çfarëdo. U zgjuam në gjashtë e gjysmë të mëngjesit dhe pamë se ishte një ditë me dy ditë brenda. E shtrirë praptas, Eva hapi sytë dhe, pa ndryshuar qëndrimin, shikoi njërën ditë dhe pastaj tjetrën. Kishte pak që edhe unë i kisha hapur sytë dhe nuk po shikoja hapësirën e pafund të shtëpisë, por Evën. Pse nuk paskëshim shkuar në Meksikë? Ende nuk e di. Donim të rrinim dhe askush nuk doli kundër dëshirës sonë. Pragu i shtëpisë dhe korridori qenë plot me valixhe: të gjithë po ia mbathnin prej vapës së gushtit. Shumë shpejt valixhet u mbartën në një karrocë me kuaj; mbi tryezë kishin mbetur filxhanët e kafes me qumësht, të pirë përgjysmë, dhe pjatat e ashures me tërshërë. Këshillat dhe porositë kishin rënë mbi pllakat e korridorit.

Unë dhe Eva i shikonim gjithë shpërfillje. Ishim pronaret e oborreve, kopshteve dhe dhomave. Kur morëm gjithë shtëpinë në zotërim, na ra përsipër një barrë e madhe. Ç’do të bënim me qemerët, me dritaret, me dyert dhe mobiliet? Dita erdh e u bë e ngurtë, qielli i manushaqtë u ngarkua me re të zeza dhe frika u fut në shtyllat e parmakut dhe në bimët e kopshtit. Në heshtje, u endëm nëpër shtëpi dhe pamë se flokët na qenkëshin kthyer në lecka. Nuk bënim dot asgjë dhe nuk kishim kë të pyesnim se ç’mund të bënim. Shërbyesit qenë grumbulluar rreth vatrës me prush, për të ngrënë dhe për të fjetur. Nuk i kishin bërë gati shtretërit; askush nuk u kujdes për lulet, as enët e palara nuk i hoqi kush nga tryeza e dhomës së ngrënies. Kur u ngrys, këngët e shërbëtorëve ia behën tek ne, plot me krime dhe ndëshkime dhe shtëpia u zhyt tek ajo ditë, si një gur në një humnerë shumë të thellë.

U zgjuam të vendosura të mos e përsëritnim ditën që sapo kaloi. Dita e re shkëlqente dyfish dhe e paprekur. Eva i pa të dy ditët paralele që shkëlqenin si dy rreze të shkruara në ujë. Pastaj kundroi murin ku ishte Krishti me tunikën e bardhë. Pastaj e kaloi vështrimin mbi pikturën tjetër, e cila paraqiste imazhin e Budës, të mbështjellë me tunikë portokalli, i menduar, në mes të një peizazhi të verdhëremë. Midis dy pikturave që përgjonin kryet e saj, Eva kishte vendosur një prerje gazete me një foto, ku një zonjë me beretë shëtiste në një barkë.