LAJMI I FUNDIT:

Dita e Martin Luther Kingut: Kënga që ndryshoi Amerikën

Dita e Martin Luther Kingut: Kënga që ndryshoi Amerikën
Stevie Wonder dhe Coretta Scott King (foto: Getty Images)

Nga: Diane Bernard / BBC
Përkthimi i pjesshëm nga: Telegrafi.com

Më 15 janar 1981, legjendat e muzikës Diana Ross dhe Gladys Knight, së bashku me “kumbarin e repit”, Gil Scott-Heron, u bashkuan në skenë me muzikantin e njohur Stevie Wonder – në National Mall të Uashingtonit. Sipas kujtimeve të Scott-Heronit të vitit 2012, “The Last Holiday”, publiku prej 50 mijë vetash brohoriti: “Dita e Martin Luther Kingut, kemi marrë pushim”, ndërsa yjet filluan ta këndojnë këngën hit të Wonderit, “Happy Birthday”, një tribut për liderin e vrarë të të drejtave civile.


“Thjesht, nuk e kuptova kurrë / Se si një njeri vdiq përgjithmonë / Nuk mund ta kem një ditë / Që do të ndahet për mirënjohjen ndaj tij”, kënduan ata, duke elektrizuar turmën.

Kënga e vitit 1980 paraqet fillimin e fushatës së Wonderit për ta shndërruar në festë federale ditëlindjen e aktivistit të njohur të paqes, Martin Luther King Jr. Për tre vjet, Wonderi priste përgjigje dhe bënte turne, mitingje dhe marshime që qëllim kishin sjelljen në jetë të vizionit të tij – një kërkim ky që do ta krijojë festën e parë në ShBA që nderon një amerikan me ngjyrë.

Ky vit shënon 40 vjetorin e nënshkrimit të ligjit nga presidenti amerikan, Ronald Reagan, i cili e caktoi Ditën e Martin Luther Kingut. Shumë njerëz sot mund të habiten kur e kuptojnë rolin që luajti Stevie Wonder në miratimin e ligjit. Por, në fakt, arti i superyllit global dhe aktivizmi politik u ndërthurën gjatë gjithë karrierës së tij, madje edhe para shtytjeve për Ditën e MLK-së, meqë vazhdimisht tërhoqi vëmendjen për çështjet sociale të Amerikës.

Pas vrasjes së Dr Kingut në prill 1968, përfaqësuesi i ShBA-së nga Detroiti i Miçigamit, John Conyers Jr., paraqiti një projektligj për ta bërë festë federale ditëlindjen e aktivistit. Por, për 13 vjet projektligji u zvarrit, duke u përballur me kundërshtimin nga demokratët e jugut dhe nga republikanët konservatorë. Për vite me radhë, Wonderi e kishte mbrojtur në heshtje këtë festë. Por, më pas, në vitin 1979 e ndau këtë ëndërr me të venë e Kingut, Coretta Scott King. Në një intervistë të vitit 2011 me Anderson Cooperin e CNN-it, Wonder tha: “I thashë asaj … ‘Në këtë ëndërr imagjinova se po e bëj këtë këngë. Marshonim me nënshkrimet e peticionit për ta bërë festë kombëtare ditëlindjen e Dr Kingut”.

Scott King ishte i emocionuar, shpjegoi Wonder, por ajo gjithashtu dyshoi se ëndrra e tij mund të realizohet në kohën kur kombi po bëhej gjithnjë e më konservator – me ngritjen e reganizmit dhe të politikanëve të së djathtës së re të Brezit të Diellit (Shtetet e Jugut), si  reagim kundër agjendave liberale të presidentit Lyndon Baines Johnson në vitet 1960. Por, Wonderi nxitej nga ëndrra e tij dhe vitin e ardhshëm e bëri këngën “Happy Birthday”, për albumin “Hotter than July” të vitit 1980 që arriti në vendin e tretë në toplistat amerikane dhe në numrin dy në Mbretërinë e Bashkuar. I shoqëruar nga Scott Kingu, Wonderi e përdori e turneun e tij të vitit 1981 – për atë album – si përpjekje mbarëbotërore për të avokuar për festën.

“Stevie Wonder mund të bënte pothuajse çdo lloj kënge”, thotë kritiku muzikor dhe regjisori i filmave dokumentarë, Nelson George. “Ishte gjithmonë në gjendje të krijonte këngë për padrejtësitë sociale”.

Angazhimi i Wonderit ndoqi traditën e muzikantëve dhe artistëve të njohur amerikanë që iu bashkuan lëvizjeve për ndryshime sociale të shekullit XX, shprehet Kevin Gaines, profesor i të drejtave civile dhe i drejtësisë sociale në Universitetin e Virxhinias.

“Është në të njëjtën vijë me Woody Guthrien e viteve 1930-‘40, këngët e të cilit pasqyronin problemet sociale të kohës”, thotë Gaines. “Dhe, këngëtaren afrikano-amerikane të operës, Marian Anderson, e cila këndoi përpara Memorialit të Lincolnit në Uashington, duke protestuar ndaj refuzimit të Bijave të Revolucionit Amerikan për ta lënë atë të këndojë në sallën e takimit”, shton ai. “Dhe, është gjithashtu Billie Holiday, e cila regjistroi himnin kundër linçimit, ‘Strange Fruit’, e që ngacmohej në jug kur atë e interpretonte”.

Karriera e Stevie Wonderit ndoqi nga afër lëvizjen e të drejtave civile, duke filluar nga hiti i tij i parë “Fingertips”, thotë Gaines. Wonder ishte vetëm 13 vjeç kur “Fingertips” doli në toplistat e verës së vitit 1963 – në vazhdën e fushatës së Kingut. “Fingertips” nuk është haptazi politike si këngët e mëvonshme të Wonderit. Por, incizimi ishte simbolik, me thirrjen e 13-vjeçarit për adoleshentët afrikano-amerikanë që t’i ndjekin ritmet e bluzit dhe të soulit afro-amerikan.

Megjithëse shumë nga këngët e tij të hershme nuk ishin haptazi politike, gjatë viteve 1960 Wonderi foli drejtpërdrejt në shtypin afrikano-amerikan për të drejtat civile, thotë Gaines. “Është e paqartë nëse amerikanët e bardhë dëgjonin apo jo atë që thoshte për lëvizjen … Por, ai ishte në televizion kombëtar … Dhe, për atë kohë, për çdo artist me ngjyrë kjo ishte arritje e rëndësishme”.

Teksa bënte turne ndërkombëtare gjatë viteve të tij të adoleshencës, Wonderi u lidh me audiencën jashtë shtetit. Nga fundi i viteve 1960, u frymëzua nga artistët tjerë me ngjyrë, përfshirë Bill Withers, Curtis Mayfield dhe Gil Scott-Heron, të cilët bënin muzikë për ndërgjegjësim shoqëror. Në vitin 1969, Wonder takoi yllin tjetër të kompanisë Motown, Marvin Gaye, që mundohej të bënte albumin e tij konceptual, “What’s Poing On” – në një produksion që hezitonte të shihej si politik. Pasi dëgjoi këngën “What’s Going On”, në vitin 1970, pronari i Motown-it, Berry Gordy, ishte absolutisht kundër publikimit, duke menduar se një këngë dhe një album me koncept të komenteve sociale do të ishte katastrofë për reputacionin e Motown-it. Një luftë shtatëmujore nisi mes Gayet dhe Gordyt për krijimin e albumit, i cili më në fund doli si një nga albumet më të rëndësishme të protestës në historinë e muzikës pop.

Në vitin 1972 Wonderi e publikoi albumin kryesor, “Talking Book”, me këngë të ngarkuara në aspektin politik, përfshirë “Big Brother” që përmbante disa nga tekstet më të sinqerta, më të ndërgjegjshme shoqërore që ka shkruar ai deri atëherë.

“’Big Brother’ është këngë e fortë proteste”, thotë Gaines. “Ai thotë: ‘I keni vrarë të gjithë liderët tanë … Ju e keni shkaktuar dështimin e shtetit tuaj’”. Wonderi e përshkruante shoqërinë amerikane që iu përgjigjej me dhunë lëvizjeve sociale të viteve 1960 dhe me një seri vrasjesh politike. “Ai qartazi e vinte në dyshim legjitimitetin e rendit politik të asaj kohe”.

Fillimi i viteve 1970 ishte katastrofik për aktivistët afrikano-amerikanë, me goditjet shtetërore ndaj grupit Black Panthers dhe vrasjen e udhëheqësve të Black Power në Çikago, kështu që kënga “Big Brother” i pasqyroi ato ngjarje reale. Në albumin e radhës të Wonderit, “Innervisions” – që përfshinte këngët “Higher Ground”, “Too High”, dhe një nga këngët e tij më me ndikim, “Living for the City” – u dha një pamje e zymtë për peizazhin urban.

Në vitin 1980, me thirrjen për veprim të “Happy Birthday”, Wonderi ishte një nga muzikantët më të rëndësishëm. “Njerëzit shikonin te ai për ta nderuar Kingun dhe lëvizjen e tij, si dhe ndryshimin në Amerikë”, thotë Nelson George.

Por, Amerika në të cilën u vra Kingu në vitin 1968, ishte ndryshe nga ajo e vitit 1980 – me betejat për të drejtat civile që shndërroheshin në sfida të reja si mundësi të barabarta për strehim dhe arsimim. Administrata e sapozgjedhur e Reaganit ishte e ftohtë për çështjet e të drejtave civile dhe Reagani fillimisht foli kundër idesë së një feste kombëtare, duke ringjallur supozimin e vjetër se Kingu ishte komunist subversiv – ashtu siç kishin thënë kundërshtarët e të drejtave civile në vitet 1950.

“Kishte njerëz atëherë, dhe ndoshta edhe tani, të cilët nuk donin që një njeri me ngjyrë të kishte një festë kombëtare”, thotë George. Shumëkush në ShBA refuzoi gjithashtu idenë për ta bërë një festë për dikë që nuk ishte president apo zyrtar qeveritar, e lëre për një aktivist social.

Pas turneut të Wonderit për “Hotter than July” më 1981, ai dhe Scott Kingu filluan lobimin te politikanët dhe më 1982 ia dërguan Kongresit një peticion me gjashtë milionë nënshkrime. Më në fund, më 2 nëntor 1983, presidenti Reagan e nënshkroi ligjin për të krijuar një festë federale për ta nderuar ditëlindjen e Martin Luther King Jr.

“Mendoj se artistët kanë qenë katalizatorë për shprehjen e problemeve sociale që nga fillimi i të gjitha kohërave”, tha Stevie Wonder më 1980, kur ai njoftoi për herë të parë përpjekjen e tij për një Ditë kombëtare të MLK-së. “Nuk jam politik. Nuk jam lider. Jam një qenie njerëzore që i është dhënë nderi dhe dhuntia e këngës. Dhe, me të jap më të mirën e mundshme”. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Nastradin Hoxha në kujtimet e Nasho Jorgaqit

Kulture
NËNA IME

NËNA IME

Fjala+
O GRUA

O GRUA

Poezi
Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur

Për Faik Konicën e njohur dhe të panjohur

Analiza
Surrealizmi

Surrealizmi

Kulture
Grave

Grave

Fjala+
Kalo në kategori