Distancimi i Kurtit nga retorika e ashpër hap debatin: strategji elektorale apo kthesë politike?

Deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili u distancua nga gjuha e ashpër e përdorur gjatë dhe pas fushatës së shkurtit – përfshirë etiketimin e disa opozitarëve si “hajvanë” – kanë nxitur reagime nga analistët politikë, të cilët këtë ndryshim e shohin kryesisht si një manovër elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti, në një intervistë për Kanal 10, tha se nuk i kishte quajtur të gjithë opozitarët me këtë shprehje dhe pranoi se “ndoshta do të duhej të zgjidhte një fjalë më të përshtatshme”. Por, sipas analistit Visar Ymeri, ky qëndrim nuk përbën një transformim të thellë politik.
Duke folur në “Debat Plus”, Ymeri deklaroi se zbutja e gjuhës nga Kurti është rezultat i matjeve elektorale që i kanë treguar LVV-së se retorika konfrontuese po e dëmtonte rëndë partinë.
“Ky është një distancim i përkohshëm, i diktuar nga kalkulimet elektorale,” theksoi Ymeri.
Sipas tij, Vetëvendosja po mundohet të ndalë rënien në mbështetje, pasi gjuha e ashpër dhe polarizimi shoqëror “nuk po sjellin rezultatet që kanë menduar, por përkundrazi po i ndëshkojnë”.
Ai shtoi se do të dëshironte të ishte shenjë e një Vetëvendosjeje të re, më institucionale, por se aktualisht e sheh këtë ndryshim kryesisht si manovër taktike para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Edhe analisti Bekim Kabashi vlerëson se VV-ja ka ndryshuar dukshëm qasjen elektorale krahasuar me zgjedhjet e shkurtit. Ai tha se partia e Kurtit ka analizuar rezultatet dhe ka kuptuar se sjellja e mëhershme – përfshirë distancimin nga mediat dhe retorikën e ashpër ndaj opozitës – ka pasur ndikim negativ në përkrahje.
“Kjo sjellje e re, më e rafinuar dhe më e kujdesshme, është rezultat i matjeve profesionale që i kanë treguar VV-së se ‘hajvanati’ dhe mungesa në media e kanë ulur partinë me rreth 8 për qind krahasuar me vitin 2021,” tha Kabashi.
Ndërkohë, analisti Ylli Hoxha u fokusua në konfliktin e LVV-së me mediat, të cilin e cilësoi si një ndër gabimet më të mëdha të fushatës së fundit.
“Ka qenë gabim në parim dhe gabim taktik. Konflikti me media është i dëmshëm afatgjatë dhe nuk sjell fitore. Përkundrazi, ka kontribuar në rënien e lirisë së shtypit në Kosovë,” tha Hoxha, duke e quajtur distancimin e tanishëm një hap pozitiv drejt rehabilitimit të situatës./Telegrafi/
- YouTube youtu.be


















































