LAJMI I FUNDIT:

Diskutohet Projektligji i punës, kërkohet grup punues

Diskutohet Projektligji i punës, kërkohet grup punues
-->

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës ka diskutuar sot për projektligjin e punës me shoqërinë civile, ku edhe ka marr kritika në mungesë të koordinimit të neneve.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se kanë kërkuar takim tre ditor në kuadër të një grupi punues për të diskutuar çdo nen bashkërisht.

Ai tha se duhet të bëhet dallimi i orëve të punës dhe orëve të pushimit, pasi sipas tij institucionet e vendit po shkelin ligjin të cilin e kanë hartuar vet.

“Kërkesat që janë dërguar në formë elektronike nuk janë marrë parasysh. Keni kërkuar që të kemi komunikim drejtpërdrejt për çdo nen. Do të kishte qenë mirë të bëjmë një takim pune, në mënyrë që të kemi një ligj funksional e jo s deri më tani. Ne kemi dërguar vërejtje, edhe tash kemi. Tek orari i punës, nuk ishte llogaritur pushimi në orë pune. Në projektligjin aktual nuk shkruan që orari i punës është 40 orë. Qeveria në këtë rast është duke e shkelur ligjin me dy këmbët, pasi në institucione publike punohet 35 orë pune, dhe ju na qitni në konflikt neve bizneseve. Ne kërkojmë që këto të jenë specifike”, tha ai.

Edhe Blerim Delija nga Sindikata e Shëndetësisë, tha se do të ishte shumw mirë sikur t’iu jepej mundësia për shqyrtimin e neneve veç e veç, në kuadër të një grupi punues. Sipas tij, derisa në fushat tjera nuk parashihet puna mbas orarit, një gjë e tillë nuk po vlen për shëndetësinë.

“E kam një vërejtje sepse draftligjin e kemi marrë para tre ditësh dhe nuk kemi pasur mundësi ta shqyrtojmë. Ky draftligj, shoh se në disa nene bie ndesh njëri me tjetrin. Unë fillimisht kisha vecu disa: me këtë ligj ka dualizëm, pasi flitet për sindikata dhe këshillat e punëtorëve, atëherë kush do të punojë aty”, tha ai.

Deputetja Besa Baftiu tha se nëse e shohin të arsyeshme do të ftojnë edhe përfaqësues të Odave afariste e ekonomike dhe përfaqësues të sindikatave për të diskutuar për këtë temë. Alush Sejdiu nga BSPK, u shpreh se ka një mungesë koordinimi në mes të ligjit dhe neneve.

Sipas tij, e meta kryesore në këtë aspekt është se çdo Qeveri që vjen, merret me draftimin e ligjeve, dhe aspak me implementimin e tyre.

“Te kontratat e punës, ne jemi marrë vesh që afati i kontratës së caktuar të jetë 3 vite. Te paga minimale kemi problem shumë të madh, edhe në ligjin në fuqi, por edhe në këtë draft, ne kemi kërkuar që të futet formula e llogaritjes së pagës. Nuk mund të ketë pagë minimale më të vogël se 60 përqind e pagës mesatare. Paga minimale nuk e di pse komplikohet. Punëdhënësi duhet t’i sigurojë punëtorit pagë të dinjitetshme që t’i sigurojë mirëqenie një familjeje 4 anëtarëshe”, tha ai.

Baftiu tha se Projektligji i Punës ka disa avancime, porse ka edhe mangësitë e veta. Ajo u shpreh se do të ishte mirë që edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, të ishte pjesë e këtij dëgjimi publik./KosovaPress/