LAJMI I FUNDIT:

Diskutohet për Fondin Pensional në raport me dialogun Kosovë-Serbi

Diskutohet për Fondin Pensional në raport me dialogun Kosovë-Serbi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale organizuan tryezën e diskutimit lidhur me “Statusin e Fondit Pensional të Kosovës në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi”.

Borxhi nga Serbia për pensionistët e Kosovës është prej 1.5 deri 2 miliardë euro.


Ky fond sipas pensionistëve është grabitur edhe për kundër njohjes nga të gjitha instancat ndërkombëtare.

Kryetarja e komisionit, Besa Baftiu tha se po diskutojnë për një temë të folur tash e sa vite, mirëpo e cila asnjëherë nuk është diskutuar në dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne si deputet jemi dëshmitar se dialogu Kosovë -Serbi ka qenë jo transparent, ngase marrëveshjet e arritura në Bruksel janë bërë publike në kuvend vetëm pas nënshkrimit. Kjo temë është trajtuar mjaft, mirëpo duhet të jetë e trajtuar në të ardhmen edhe në dialogun Kosovë-Serbi. Serbia ka miliarda euro në Fondin Pensional të Serbisë dhe nuk i ndan ato që i takojnë pensionistëve të Kosovës”, ka thënë Baftiu, përcjell KP.

Bahri Xhaferi, udhëheqës i Departamentit të Pensioneve në MPMS, ka thënë se sistemi aktual është vështirë të realizohet.

Ndërsa Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve, tha se deri më sot mungojnë rezultatet për t’i kthyer fondet.

“Serbia e ka grabitë fondin, nuk kanë nga të shkojnë nëse i zbatojnë konventat ndërkombëtare. Jam i sinqertë dhe deklaroj se përpjekjet për të kthyer këto të drejta në të gjitha format, padi dhe të tjera, mirëpo, rezultatet mungojnë deri sot”, ka thënë Kajtazi.

Artan Mustafa, autor i hulumtimit “Politika pensionale e Kosovës” ka thënë se Kosova në krahasim me vendet e tjera e ka privatizimin më të madh në rajon. /Telegrafi/