Në këto ditë maji, duke kaluar nga rruga kur dikur ngrihej shkolla ku kam përfunduar shkollimin e mesëm (Xhevdet Doda), shoh se katedralja katolike tashmë ka filluar të marrë formën e saj, duket se konstrukti i saj është në përfundim e sipër. Siç duket, ndërtimi i saj do të përfundojë shumë shpejt. Qytetarët që kalojnë rrugës pranë kësaj katedraleje, të krijojnë përshtypjen se as nuk janë duke e parë gjithë këtë ndërtim që po ndodh në qendër të qytetit. Shumë prej nesh, mbase janë mësuar me ndërtimet pa leje që bëhen ditë për ditë para syve tanë dhe ndërtimi i kësaj katedraleje nuk përbën asgjë të re në këtë drejtim, aq më shumë kur nga syri i një laiku, duket se ndërtimi i saj përmbushë disa kritere bazë arkitektonike .

Por, cilat nga kriteret tjera kjo katedrale i ka përmbushur apo i ka cenuar? Pa dyshim se komuniteti katolik në Prishtinë nuk ka dhe nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme, ku të kryejë shërbesën fetare në objektet e besimit të tyre, rrjedhimisht kjo katedrale do të krijojë hapësirë të mjaftueshme për ta. Por, mbase për disa oportunist miop, integrimit politik, social dhe kulturor i Kosovës në botën perëndimore do t’i ndihmojë edhe panorama kristiane e qendrës së kryeqytetit. Por, sa ngërthen në vete rrezik konvertimi i kritereve, nga ato të te drejtës së çdo njeriu për të praktikuar besimin e tij, në kritere politike? Sa është i qëndrueshëm ky argument? A mund të shkaktojë polarizim të kohezionit shoqëror, në një vend ku pjesa dërmuese e popullatës është e besimit mysliman, edhe pse shumë prej tyre nuk e praktikojnë atë? A kanë arsye komunitetet tjera fetare ta ndjehen të anashkaluara nga ndërtimi i kësaj katedraleje? A mundet që ndërtimi i kësaj katedraleje të rris reaksionin e disa grupeve që pretendojnë të krahasohen me grupet ekstremiste islamike? A mund te akuzohet komuna se ka qene selektive ne raport me komunitetet fetare?


Mendoj se si shoqëri jemi të prirë për neglizhim të simptomave të radikalizimit dhe përcarjes sociale. E ato shumë lehtë mund t’i spikatësh në Prishtinë. Pak më tutje nga vendi ku është duke u ndërtuar katedralja, te kinemaja ABC, shihet një mbishkrim: “Bajramin do ta falim n’katedrale”, apo më kujtohet edhe një mbishkrim tjetër më herët, i shkruar në muret e fakultetit filologjik “God bless Taliban”. Me këto argumente dikush do të më quante paranoik, por po këto ditë maji duke kaluar qendrës së qytetit pash një turmë protestuesish me mjekra dhe shamia, që në bazë të asaj çfarë kuptova kishin ardhur nga një shkollë e Ferizajt, për të protestuar për largimin e shoqes së tyre nga shkolla publike nga drejtori i shkollës, për shkak se studentja nuk kishte pranuar që të vinte në shkollë si studentet e tjera, por e veshur sipas traditës fetare myslimane. Mbaj mend edhe hoxhën e famshëm të Marinës, i cili sfidonte edhe hierarkinë e Bashkësisë Islame në Kosovë dhe i cili u deportua nga policia për në Shqipëri. Tashmë kemi edhe disa televizione, të cilat vazhdimisht emetojnë programe që imponojnë leksione fetare audiencës sonë. Por, kemi edhe individë, të cilët pasi që shpëtuan nga dhuna e kohës së Miosevicit, e gjetën strehë në SHBA, derisa kjo e fundit përfundimisht vendosi themelet e shtetit tonë, tashmë po i njëjti individ kthehet në këtë vend të çliruar nga SHBA – ja dhe planifikon sulme kundër bazave ushtarake amerikane në Kosovë, siç ishte rasti i refugjatit kosovar nga Gjilani.

Shoqëria kosovare edhe 11 vjet pasluftës vazhdon të jetë shoqëri në fillim të tranzicionit. Nuk duhet harruar se deri para dy dekadave kemi qenë shoqëri shumë e konservuar, pa liri ideologjike, të nëpërkëmbur nga pushteti i atëhershëm me qendër në Beograd dhe me mundësi shumë të kufizuara për të qenë të hapur ndaj botës demokratike. Shqipëria diktatoriale e ateiste e Enver Hoxhës, ishte ideali i reaksionarëve, Beogradi ishte modeli për të qenë të pushtetshëm në vendin e tyre për konformistët. Rrjedhimisht që të dyja modelet jokompatibile me zhvillimet e sotme në Kosovë. Ndërkaq përvojat nga kjo periudhë rrjedhimisht të dëmshme.

Shenjat e para të daljes nga ky inkubator social shfaqen në fillim të viteve të 90 – ta, kur edhe shqiptarëve në Kosovë nuk u kishte mbetur të orientoheshin kah tjetër pos nga perëndimi, e normalisht këtij orientimi i ndihmoi edhe shembja e Murit të Berlinit dhe rënia e sistemit komunist. Por, përfundimisht dalja nga amullia përfundon me mbarimin e luftës së vitit 1999. Pas kësaj kohe Kosova ishte e hapur ndaj të gjitha fenomeneve negative dhe pozitive, nga orienti ose oksidenti dhe duke qenë e papërgatitur tregoi dobësi duke absorbuar çdo praktikë që vinte e importuar. Tranzicioni institucional që ende nuk ka përfunduar tërësisht ishte sfida e radhës që ndikoi në pamundësinë e parandalimit të rreziqeve eventuale, nga të cilat do të dëmtohej shoqëria. Megjithatë nuk është vetëm kjo, ngaqë me tranzicion nuk nënkuptoj vetëm konstituimin e institucioneve vetëqeverisëse, apo edhe aktin e shpalljes së pavarësisë dhe objektivat tona për integrim sa më të shpejt në pakte politiko – ekonomike të fuqishme nga të cilat do të kemi benefite, por edhe zhvillimin e platformave politike afatmesme dhe afatgjata për të mirëmbajtur tolerancën fetare.

Ka qenë shumë me e lehtë që grupet e ndryshme fetare të mos kenë përçarje në një shoqëri konservative të pa ‘infektuar’ nga jashtë siç ishte dikur vendi ynë. Por, sfida për të menaxhuar grupet e ndryshme fetare në Kosovë, sot duhet parë me prioritet të lartë. Nuk duhet harruar se celula të sekteve radikale fetare, sot i kanë bazat dhe përfaqësuesit e tyre në Kosovë. Përfaqësuesit e këtyre celulave janë në mesin tonë, mbase me ta motikohë kemi pasur miqësi, ndërkaq tani kemi diskrepancë në qëndrime, dikush prej tyre ndoshta është edhe duke ndjellur urrejtje për të gjithë ata që nuk kanë botëkuptimet e tyre. Polarizimi është në rritje. Komunikimi dhe debati i evituar deri më tani duhet të fillojë. Institucionet përfundimisht duhet të marrin hapa për t’i afruar dhe për të diskutuar me përfaqësues të komuniteteve fetare për problemet dhe hallet e tyre. Besoj se Bashkësia Islame e Kosovës është treguar shumë luajale dhe konstruktive ndaj institucioneve te shtetit dhe është treguar e gatshme për bashkëpunim. Ndoshta komuniteti që ata përfaqësojnë janë të pakënaqur me ndikimin e tyre te institucionet. Kjo vë në rrezik kredibilitetin e BiK që pjesëtarë të këtij komuniteti, të ikin nga ombrella e saj dhe t’i bashkohen grupeve ekstreme islamike, të cilat nuk kanë çfarë t’i duhen Kosovës.

Gjatë një samiti të myftinjve ballkanik të mbajtur në Prishtinë, ku nikoqir ishte Myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava, rastësisht dëgjova përmes televizorit një kërkesë të tij drejtuar komunës së Prishtinës për caktimin e një trualli në kryeqytet, ku do të ndërtohej një xhami për nevojat e besimtarëve myslimanë. Shpresoj se kjo kërkesë do të shqyrtohet me seriozitet. Ruajtja e traditës së tolerancës fetare që mund të kanoset nga ekstremistët është jetike për shtetin tonë të brishtë.