LAJMI I FUNDIT:

Disidenti tjetër rus i cili e vuri jetën e vet në rrezik

Disidenti tjetër rus i cili e vuri jetën e vet në rrezik
Gazetari rus i kthyer në aktivist politik, Vladimir Kara-Murza, po e vuan dënimin 25-vjeçar për kritikat ndaj Kremlinit dhe luftës së tij në Ukrainë (foto: Maxim Grigoryev/Zuma Press)

Burimi: The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Pesë ditë pasi Alexei Navalny vdiq në burgun rus, një tjetër kritik i presidentit Vladimir Putin u shfaq në një video-lidhje të dobët, nga burgu ku gjendet në Siberi, i veshur me uniformën e zezë të të burgosurve dhe përballë mureve të bardha të qelisë.

“Nëse nënshtrohemi ndaj dëshpërimit dhe biem në dëshpërim, atëherë kjo është pikërisht ajo në të cilën ata llogarisin”, tha në shkurt i burgosuri thatanik, gjatë një seance gjyqësore në Moskë. “Detyra jonë kryesore, ndaj shokëve tanë të vdekur, është që të vazhdojmë punën tonë, me përkushtim edhe më të madh se më parë”.


Ajo që i bëri komentet e Vladimir Kara-Murzait kaq të habitshme, nuk ishte aq shumë toni i sfidës apo shanset në dukje të pakapërcyeshme për t’iu kundërvënë Putinit – i cili në pushtet është që nga viti 2000.

Ishte ajo se Kara-Murzai mund të jetë disidenti i radhës rus që do të vdesë prapa grilave.

Duke e vuajtur dënimin 25-vjeçar për kritikën ndaj Kremlinit dhe luftën e tij në Ukrainë, ai i ndien efektet e dy helmimeve të viteve 2015 dhe 2017, të cilat e kanë copëtuar sistemin e tij nervor – njësoj si sulmi të cilin Navalny e duroi para se të burgosej. Ka qenë dy herë në komë dhe mjekët e tij thonë se brenda dy viteve mund të vdesë – nëse nuk e merr trajtimin e duhur.

Kushtet në të cilat mbahet janë të ashpra edhe për standardet ruse. Kara-Murzai thotë se në mënyrë të përsëritur është vënë në izolim, për shkeljet më të vogla – të tilla si mos qepja si duhet e kopsës së këmishës ose zgjimi, pa u dhënë alarmi, në orën 5 të mëngjesit. Orë më orë, një folës i montuar në murin e qelisë së burgut transmeton buletinet ruse të lajmeve. Kështu që në shkurt ai mësoi për vdekjen e Navalnyt.

Në atë kohë, polineuropatia e tij, apo gjendja që prek sistemin nervor, e bënte të humbiste ndjesinë në gjymtyrët e veta. Në dhjetor, këmbët e tij u frynë aq shumë saqë nuk mund t’i mbathte këpucët. Gruaja e tij, Evgenia Kara-Murza, ka thënë se testet e kryera nga një neurolog i burgut treguan se nervat e tij po shuheshin ngadalë.

Miqtë dhe familja i bëjnë thirrje ShBA-së dhe Britanisë së Madhe që ta përfshijnë shtetasin e dyfishtë britaniko-rus, si dhe rezidentin amerikan, në çdo shkëmbim të të burgosurve që pajtohen me Rusinë, ku mund të jetë edhe reporteri i Wall Street Journal-it, Evan Gershkovich – gazetar i akredituar dhe shtetas amerikan i cili mbahet për më shumë se një vit për një akuzë spiunazhi të cilën si ai, ashtu edhe Journal-i dhe qeveria e ShBA-së, zëshëm e mohojnë.

Si përfaqësues i zjarrtë i lëvizjes disidente të Rusisë përgjatë shekujve, si Navalny ashtu edhe Kara-Murzai e dinin se mund të vriteshin ose të detyroheshin të duronin kushtet kërcënuese për jetën – në kampet e largëta të burgjeve, si ndëshkim për sfidimin e autoritetit të Putinit. Navalny u kthye në Moskë në janar 2021, pasi u shërua në Gjermani nga ajo që mjekët thanë se ishte helmim me një agjent nervor të epokës sovjetike. Autoritetet ruse e kishin bërë të qartë qëllimin e tyre për ta burgosur, dhe ai u arrestua pasi doli nga aeroplani.

Derisa Navalny ishte kryetitull global për fushatën e tij bazike kundër liderit rus, Kara-Murzai përbënte një lloj tjetër kërcënimi. Si gazetar i kthyer në aktivist politik, u specializua në lidhjen e grupeve të opozitës dhe në krijimin e lidhjeve ndërkombëtare teksa jetonte në Mbretërinë e Bashkuar dhe në ShBA, duke lobuar për sanksione ndaj Kremlinit – për të liruar kështu ngufatjen mbi sistemin politik të Rusisë. Mbështetësit thonë se nëse Navalny e meritonte të bëhej president në një Rusi më të lirë, 42-vjeçari Kara-Murza – me anglishten e tij të rrjedhshme dhe kontaktet e thella në Perëndim – do të ishte ministri perfekt i Jashtëm.

Por, si shumë të tjerë – grupet e të drejtave të njeriut thonë se tani ka pothuajse 700 të burgosur politikë në Rusi – ai arriti në përfundimin se sakrifikimi i vetvetes do të ishte çmimi që do të duhej të paguante për ta nxitur opozitën kundër Putinit.

“Nëse u bëni thirrje bashkëqytetarëve tuaj që të ngrihen kundër sistemit, duhet të udhëhiqni duke dhënë shembull dhe duke i marrë përsipër rreziqet”, shkroi Kara-Murzai në një letër nga burgu, drejtuar Journal-it në muajin e kaluar.

“Regjimi i Putinit mbijeton dhe ushqehet me frikën që fut në shoqërinë tonë”, vazhdoi ai. “Por, frika, njëjtë si shantazhi, është efektive vetëm nëse njerëzit zgjedhin t’i nënshtrohen asaj. Dhe, ne duhet të zgjedhim të mos e bëjmë këtë”.

Kara-Murzai lindi në një varg të gjatë të disidentëve, si djali i një gazetari të guximshëm dhe stërnipi i një revolucionari letonez. Nëna e tij u martua për herë të dytë me një anglez në vitet 1990, dhe ajo e barti familjen e vet në Angli, ku Kara-Murzai ndoqi Universitetin e Kembrixhit dhe mori nënshtetësinë britanike. E filloi karrierën në gazetari dhe, përsëri në Rusi, më 2003 dështoi oferta e tij për një post politik.

Teksa Rusia përkulej drejt autoritarizmit nën Putinin, miqtë më të ngushtë të Kara-Murzait u vunë në shënjestër. Kur jashtë Kremlinit, në shkurt të vitit 2015 u qëllua lideri i opozitës Boris Nemtsov, Kara-Murza nxitoi në vendin e ngjarjes ku pa trupin e mentorit të rrethuar nga policia.

Tre muaj më vonë, Kara-Murzai ishte në një takim në Moskë kur papritmas i humbi ndjenjat. I vënë në aparatet për ta mbajtur gjallë në spital, pësoi dështimin e shumëfishtë të organeve dhe u vu në komë për javë të tëra. Mjekët rusë i thanë atij se është i helmuar, ndërsa këtë e konfirmojnë testet e mëvonshme në disa laboratorë perëndimorë.

Kara-Murzai e kaloi një vit duke ecur me shkop dhe duke luftuar për të rifituar ndjenjën në duart dhe këmbët e veta, duke luajtur në kitarë dhe duke ecur mbi guaska përgjatë plazhit pranë shtëpisë së familjes në Virxhinia. Në vitin 2017, në një udhëtim tjetër në Rusi, përsëri u helmua.

Toksinat e përdorura në ato helmime dhe identiteti i autorëve ende kanë mbetur mister. Autoritetet ruse refuzuan t’i nisnin hetimet për secilin incident.

Kur Rusia e pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, miqtë iu lutën Kara-Murzait që të largohej nga Rusia. Putini i kishte prezantuar ligjet e reja gjithëpërfshirëse për ta zhdukur çdo kundërshtim. Mikhail Khodorkovsky, ish-manjat rus i naftës i cili i kaloi 10 vjet në burg për kundërshtimin e qeverisë së Putinit, tha se e paralajmëroi Kara-Murzait se, për shkak të shëndetit të tij të rënduar, nuk mund të mbijetojë në burgun rus.

Në fund të marsit, gjatë një darke në Londër, financieri Bill Browder i kërkoi rusit të merrte parasysh familjen e vet. Kara-Murzai kishte qenë njeriu kyç që ka ndihmuar Browderin që të lobonte për futjen e sanksioneve perëndimore kundër shkelësve rusë të të drejtave të njeriut – si pjesë e Aktit Magnitsky.

“I thashë atij: ‘Më e keqja që ndodh është të vritesh dhe më e mira që mund ndodh është të arrestohesh’”, kujtoi Browder në një intervistë. “Nuk u prek nga kjo”.

Dy javë pas darkës me Browderit, Kara-Murzai u kthye në Moskë. Në një intervistë me CNN-in, menjëherë më pas, e akuzoi Putinin për vrasjen e kundërshtarëve dhe tha se Kremlini zgjedh helmin si metodë të preferuar e vrasjes – sepse, kjo ia ofron një mohim të besueshëm.

“Ky regjim që është në pushtet sot, në vendin tonë, nuk është thjesht i korruptuar, nuk është thjesht kleptokratik, nuk është thjesht autoritar”, tha ai. “Është regjim i vrasësve”.

Duke e ditur se Kara-Murza fliste nga Moska, spikeri e pyet nëse shqetësohet se, nëse sërish të vihet në shënjestër, ai do të vdesë. “Jam politikan rus, ky është vendi im i origjinës”, u përgjigj Kara-Murzai. “Dhurata më e madhe që mund t’ia ofrojmë Kremlinit është të heqësh dorë dhe të largohesh”.

Disa orë më vonë, teksa kthehej në shtëpi nga një takim, u arrestua dhe u akuzua për angazhim me një grup të ndaluar opozitar. Më vonë, hetuesit e shtuan një akuzë për tradhti dhe një tjetër për shpërndarje të informacionit të supozuar të rremë për ushtrinë ruse.

Në deklaratën e tij të fundit para gjykatës, Kara-Murzai ishte sfidues. “E fajësoj veten vetëm për një gjë”, tha ai. “Se gjatë viteve të aktivitetit tim politik, nuk kam arritur të bind sa duhet bashkatdhetarët e mi dhe politikanë në vendet demokratike, për rrezikun të cilin regjimi aktual në Kremlin paraqet për Rusinë dhe për botën”.

Gjykata vendosi se Kara-Murza kishte minuar sovranitetin dhe sigurinë e Rusisë, “i motivuar nga urrejtja politike dhe nga armiqësia”. Në prill 2023 u dënua me 25 vjet burg dhe u dërgua në Omsk të Siberisë, rreth 2736 kilometra larg nga Moska.

Kara-Murzai thotë se zotërimet e tij të vetme janë një filxhan, një furçë dhëmbësh, një sapun, dy peshqirë dhe dy libra. Nuk lejohen fotot e fëmijëve të tij. Shtrati i fortë ku fle është i palosur për 16 orë gjatë ditës dhe asnjë dritë natyrale nuk futet në qeli. Ushtrimi ditor është i kufizuar në një orë e gjysmë ecje rreth një oborri të vogël, ku qielli është i dukshëm përmes grilave në tavan.

Evgenia, gruaja e tij, ka punuar pa u lodhur për ta bërë publike gjendjen e vështirë të burrit të saj, duke udhëtuar nga shtëpia e çiftit në Virxhinia për në kryeqytetet perëndimore dhe duke i kërkuar administratës së Bidenit që ta përshkruajë Kara-Murzain si “gabimisht të arrestuar”, status ky që e detyron atë që ta kërkojë lirimin e tij.

Një grup ndërpartiak i ligjvënësve amerikanë e kërkuan përfshirjen e Kara-Murzait në marrëveshjen e shkëmbimit të vitit 2022, mes ShBA-së dhe Rusisë, për të burgosurit, e cila përfundimisht solli në shtëpi yllin e basketbollit të grave, Brittney Griner. Departamenti i Shtetit ka thënë se Kara-Murzai është “i burgosur politik” i cili duhet të lirohet.

Në letrën e tij për Journal, Kara-Murzai tha se tri gjëra e mbajnë të gjallë: besimi i krishterë, ndjenja se është në anën e duhur të historisë dhe bindja e fortë se qeveria e Putinit do të shembet.

“Çfarëdo që bën ky regjim, nuk mund ta ndalojë të ardhmen”, shkroi ai, duke përmendur mijëra të rinj që dolën për funeralin e Navalnyt në Moskë. “Dhe, edhe nëse na vrasin që të gjithëve, të tjerët do ta zënë vendin tonë”.

Hera e fundit kur Kara-Murzai mundi të fliste me familjen e vet, ishte në dhjetor, kur autoritetet e burgut ia lejuan një telefonatë 15-minutëshe.

“U lajmërova, e dëgjova zërin e tij, i thashë se e doja dhe telefonin menjëherë ua kalova fëmijëve”, tha Evgenia Kara-Murzai, e cila kujdeset për tre fëmijët adoleshentë të çiftit. “E kisha një kronometër të ndezur, sepse nuk mund ta lejoja asnjërin nga fëmijët tanë që të fliste për më shumë se pesë minuta me babanë”. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Lajme
Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Ish-fituesi i Kupës së Botës, Philipp Lahm, jep shtëpi me qira me Airbnb për vetëm 21 euro në natë - ai premton se do të mirëpresë personalisht mysafirët

Bundesliga

"Unë jam gjallë, nuk është ende vonë", gjermani i dënuar me vdekje në Bjellorusi kërkon ndihmë përmes televizionit shtetëror

Botë
E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

E nisi me humbje të thellë me Juventusin, këto janë fjalët e Thiago Mottas

Serie A
“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

“Nuk mu lejua ta shoh kufomën”, avokati Koci tregon çfarë po kërkon policia serbe që ta dorëzojë trupin e Faton Hajrizit

Lajme
Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Sondazhi i New York Times - kush po udhëheq, Harris apo Trump

Amerika
Kalo në kategori