LAJMI I FUNDIT:

Disa media në Serbi ia bëjnë argatin pushtetit të Vuçiqit – ja si i prezantuan ngjarjet e fundit në veri në Kosovës

Disa media në Serbi ia bëjnë argatin pushtetit të Vuçiqit – ja si i prezantuan ngjarjet e fundit në veri në Kosovës

Zhvillimet e ditës së diel në veri të Kosovës, siç edhe ka ndodhur edhe më herët, disa media në Serbi – të afërta me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi – “i kanë kthyer në favor të tyre”.

Nga këto media, disa prej tyre madje kanë shkuar aq larg sa që policinë e Kosovës e kanë quajtur terroristë, ndërsa kryeministrin Albin Kurti, fajtor për ato që ndodhën në veri.


“Terroristët e Kurtit vrasin serbët”, ka shkruar mediumi serb “Alo”, ndërsa mediumi tjetër “Informer” ka shkruar “Gjaku është në duart e Kurtit”.

Dhe kjo është vënë në pah edhe nga analisti boshnjak, Vedran Xhihiq, ndryshe një pedagog në Universitetin e Vjenës, përcjell Telegrafi.

Vuçiq deklarohet rreth zhvillimeve të fundit në veri – vazhdon avazin e vjetër të propagandës serbe ndaj Kosovës
Lexo po ashtu Vuçiq deklarohet rreth zhvillimeve të fundit në veri – vazhdon avazin e vjetër të propagandës serbe ndaj Kosovës

“Dita e parë pas sulmit nga grupi i armatosur serb në veri të Kosovës në mediat tabloide serbe”, ka shkruar Xhihiq, duke publikuar ballinat e dy mediave në fjalë.

“Mirë se vini në universin paralel propagandistik të regjimit në Serbi”, ka shkruar më tej ai.

Ndryshe, këto dhe disa media të tjera në Serbi kanë vazhduar avazin e vjetër të propagandës serbe në raport me Kosovën, gjë që e bëri edhe vetë presidenti Aleksandar Vuçiq, gjatë një adresimi për media, të dielën në mbrëmje.

Edhe kësaj radhe, ai ka përdorur aftësitë e tij të propagandës serbe duke u munduar të arsyetojë sulmuesit.

Teksa ka filluar të shpalos kronologjinë e ngjarjeve, sipas versionit të tij, ai ka filluar të luajë rolin e viktimës.

“Edhe pse kemi folur shumë herë për këtë, edhe pse unë kam paralajmëruar si në Bruksel ashtu edhe në Nju Jork që kjo mund të ndodhë, pak njerëz e dëgjuan”, ka thënë më tej Vuçiq, duke fajësuar edhe kësaj radhe, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Vuçiq pyetet se ku i kanë marrë uniformat, ata që sulmuan policinë e Kosovës në veri
Lexo po ashtu Vuçiq pyetet se ku i kanë marrë uniformat, ata që sulmuan policinë e Kosovës në veri

“Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është që dëshiron konflikt dhe luftë. Ai dëshiron të na fusë në luftën me NATO-n”, ka thënë të dielën ndër tjerash Vuçiq, përcjell Telegrafi.

Ai kishte vazhduar me pretendimet se dhjetëra serbë janë rrethuar plotësisht në më shumë se një orë dhe ndaj tyre ka ndodhur një sulm brutal.

Ndërsa kur është pyetur se “nga ku i kishin siguruar uniformat, sulmuesit” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, gjatë ditës së diel në veri të Kosovës, ai është përgjigjur: “Këto nuk janë uniforma të Ushtrisë së Republikës së Serbisë apo të Policisë së Republikës së Serbisë. Uniformat mund të blihen kudo në treg, nuk ka armë që nuk mund të gjenden askund”, tha Vuçiq.

Ndryshe, Policia e Kosovës është sulmuar me arsenal armësh, përfshirë këtu edhe me granata dore, ku si pasojë e gjuajtjeve një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur.

Veç kësaj, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka shkuar në tre numri i sulmuesve të vrarë në veri të Kosovës. /Telegrafi/