LAJMI I FUNDIT:

Diplomojnë 426 policë të rinj, nga 2 nëntori do të fillojnë të shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës

Diplomojnë 426 policë të rinj, nga 2 nëntori do të fillojnë të shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës

426 policë të rinj pranuan gjatë të premtes certifikatat dhe dhanë betimin e tyre se do të  zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës,  se do ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke treguar profesionalizëm, përgjegjësi dhe ndershmëri në interes të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Diplomimi i gjeneratës së 55-të të kadetëve policorë të Policisë së Kosovës bazuar në situatën aktuale është bërë pa ceremoni.


Përmes një komunikate për medie, Policia e Kosovës ka njoftuar se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe u. d. drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Samedin Mehmeti, i cili ka thënë se policët e rinj që do të jetë ndihmesë e madhe për punën në terren dhe nga të njëjtit ka kërkuar angazhim shtesë sidomos në këtë kohë të pandemisë.

“Duke marrë parasysh se PK-ja ka një imazh të mirë te qytetarët ju duhet të kontribuoni që akoma më shumë të ngrihet niveli i besueshmërisë te qytetarët. Policëve të rinj ju dëshiroj shëndet dhe suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve”, tha ndër të tjera Mehmeti.

Këtë trajnim së bashku me kadetët policorë e kanë përfunduar edhe 5 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komponenta e Policisë Ushtarake.

Gjithashtu janë ndarë mirënjohje për 14  kadetët policorë si kapitenë të klasave dhe  20 kadetëve policorë për rezultatet më të larta të arritura gjatë kohëzgjatjes së trajnimit.

Nga data 2 nëntor 2020 policët e rinj do të fillojnë të shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës, duke vazhduar me pjesën e programit të trajnimit fushor për policët e rinj në stacione policore në kohëzgjatje prej dy (2) vjet nën mbikëqyrje të instruktorëve praktikë/fushorë të Policisë së Kosovës. /Telegrafi/