LAJMI I FUNDIT:

Diplomacia përballet me katër sfida të vështira për Izraelin dhe për Gazën

Diplomacia përballet me katër sfida të vështira për Izraelin dhe për Gazën

Nga: Tom Fletcher, ish-ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Liban, autor librit The Naked Diplomat dhe kryesues i Kolegjit “Hertford” në Oksford / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Shumica e njerëzve në botë, të tmerruar panë momentin kur izraelitët dhe palestinezët humbën jetën pas sulmit brutal të Hamasit më 7 tetor dhe pas reagimit vdekjeprurës ndaj këtij sulmi.


Megjithatë, tre burra janë të gatshëm për ta shfrytëzuar këtë krizë. I pari është Donald Trumpi, përdhosja e të cilit ndaj kredibiliteti të Amerikës, inkurajimi i së djathtës ekstreme izraelite dhe lënia pas dore e rendit të bazuar në rregulla, kanë vështirësuar udhëheqjen e pasardhësit të tij. I dyti është Vladimir Putini i Rusisë, gangsteri oportunist që parashikon se konflikti do të shpërqendrojë, do të përçajë dhe do t’i lodhë demokracitë liberale. Dhe, i treti është udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i cili shpreson se mjerimi që shfaqet në ekranet anembanë botës myslimane, do të varrosë edhe për një dekadë shpresat izraelite dhe amerikane për normalizim me shtetet arabe dhe se do të parandalojë aleancat mes armiqve të tij.

Detyra kryesore është që këtyre tre njerëzve t’ju bëhet me dije se e kanë gabim. Larg kamerave, amerikanët janë përpjekur të bëjnë këtë. Në publik, presidenti i ShBA-së, Joe Biden, ishte në gjendje t’u thoshte aleatëve të brishtë dhe të lënduar: e ndjejmë dhimbjen tuaj, ju mbështesim, por ndaluni dhe merrni frymë njëherë. Në aspektin privat, mesazhet kanë qenë më të forta. Nëse keni dyshime, mos e bëni atë që Irani e dëshiron. Hamasi është armiku, jo civilët palestinezë. Mos veproni si përbindësh për ta mposhtur përbindëshin.

Tashti, komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet rreth katër sfidave – që të gjitha të vështira. Së pari, lehtësojini vuajtjet e papranueshme të civilëve në Gazë. Për krerët e agjencive të OKB-së, kurrë nuk kam dëgjuar të jenë kaq të zemëruar. Më herët, disa shmangeshin ndaj dilemës nëse Izraeli kishte të drejtë të gjykohej sipas ligje të ndryshme humanitare. Ky mesazh ka vazhduar, por dëmi është i madh. Si t’jua ofrojmë palestinezëve në Gazë, të njëjtën siguri që e duam për izraelitët?

Së dyti, ta bindim Izraelin se do të punojmë me ta për t’i kapur ata që janë përgjegjës për këto akte të tmerrshme dhe për t’i sjell ata para përgjegjësisë. Ka përpjekje të vazhdueshme për t’i shpëtuar pengjet, duke i përdorur kanale e vjetra – përfshirë këtu Katarin dhe Turqinë. Dhe, Mburoja e Hekurt – sistemi më i mirë i vetëmbrojtjes në botë – do të përforcohet përmes mbështetjes së ShBA-së.

Së treti, parandalojeni përshkallëzimin përtej kufirit Izrael/Liban ose nga hutët [Ansar Allah] në Gji. Populli i Libanit nuk e dëshiron konfliktin: vendi veçse e ka vuajtur hisen e vet të dhimbjes Preferenca kryesore e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është të ndalojë çdo tension në kufirin verior. Hezbollahu paraqet kërcënim të fuqishëm, por në aspektin privat ata gjithashtu kanë llogaritur se duhet të rezistojnë ndaj gatishmërisë së Iranit për të luftuar deri te libanezi i fundit. Dy grupe transportuese amerikane dhe 2000 marinsa mund të ndihmojnë në ftohjen dhe përqendrimin e mendjeve.

Së katërti, riparojeni ndjenjën se në të dy anët e tryezës ka partnerë të mundshëm për paqe. Në Izraeli po rritet presioni për një kabinet më përfaqësues, pa forcat e linjës së ashpër që nuk arritën t’i mbrojnë ata. Përmes një fjalimi të princit Turki al-Faisal në Hjuston, sauditët bënë me dije se normalizimi nuk është jashtë agjendës, nëse Izraeli mund të jetë i përmbajtur. Shtetet e Bashkuara dhe evropianët e kanë kuptuar se duhet ta rindërtojnë udhëheqjen kryesore palestineze, duke mos i lënë ata të ndarë.

Është herët për të folur se kur dhe si përfundon kjo krizë. Por, duhet t’ia japim fundin. Në kohë të polarizuara, të zemërimit dhe të nacionalizmit, diplomacia është e vështirë. Por, ma tregoni një alternativë më të mirë. Paqebërësi i madh amerikan, George Mitchell, ka thënë se diplomacia është 700 ditë dështim dhe një ditë sukses. Pika fillestare duhet të jetë ajo që palestinezët dhe izraelitët të kenë të drejtë për siguri, për drejtësi dhe për mundësi në tokat që mund t’i quajnë të tyret. Dhe, kur një burrë ia drejton armën një fëmije, instinkti ynë i parë duhet të jetë mbrojtja e fëmijës.

Problem është të ndërhyni në Lindjen e Mesme. Problem është të mos ndërhyni. Problem është të lëkundeni mes këtyre opsioneve. Por, duhet të përcaktohemi për diplomacinë e vështirë dhe të qetë që po kërkohet. Mund t’i ndihmojmë miqtë tanë të shmangin gabimet dhe ta shohin një tjetër aspekt. Dhe, mund t’ia mohojmë Trumpit, Putinit dhe Khameneit, fitoret që ata tashmë po i nuhasin. /Telegrafi/

Ish-ambasadori britanik shkruan për pritjen e Kosovë ndaj Anglisë, Fletcher: Një kujtesë për atë që diplomacia mund të arrijë
Lexo po ashtu Ish-ambasadori britanik shkruan për pritjen e Kosovë ndaj Anglisë, Fletcher: Një kujtesë për atë që diplomacia mund të arrijë