eksperti-banner

Disa njerëz nuk do t’ju pranojnë sado të përpiqeni; sekreti është të mos kërkoni miratim me çdo kusht

Kur dikush nuk ju pëlqen, nuk ka nevojë ta thotë me fjalë, sepse kjo shpesh ndihet. Por mënyra se si reagoni ndaj njerëzve të tillë mund të ndikojë shumë në qetësinë tuaj të brendshme.


Është e pamundur t’u pëlqeni të gjithëve. Sado të përpiqeni, gjithmonë do të ketë njerëz që nuk do t’ju pranojnë, nuk do t’ju kuptojnë ose thjesht nuk do t’ju kenë për zemër. Pranimi i këtij fakti e bën më të lehtë ruajtjen e qetësisë dhe të vetërespektit.

E rëndësishme është të mos përpiqeni t’u përshtateni të gjithëve me çdo kusht, por të ndërtoni një mënyrë komunikimi të qetë, të sigurt dhe të matur.

Trajnerja e komunikimit Linda Leeds thekson se gabimi kryesor është krijimi i justifikimeve, përpjekja për t’u bërë të pëlqyeshëm me çdo kusht dhe dëshira për t’u provuar të tjerëve se jeni “njeri i mirë”. Sipas saj, qëndrimi negativ i të tjerëve shpesh nuk lidhet me ju, por me problemet e tyre të brendshme: pasigurinë, mllefin ose papjekurinë emocionale.

Kërkimi i vazhdueshëm i miratimit vetëm e ul respektin për veten. Kur ta kuptoni këtë, do të ndaloni së pyeturi veten: “Çfarë nuk shkon me mua?”

Nuk është gjithmonë e mundur t’i shmangni plotësisht njerëzit e pakëndshëm, qofshin ata kolegë, të afërm apo persona me të cilët jeni të detyruar të komunikoni. Prandaj është e rëndësishme të mësoni si të silleni me ta pa sakrifikuar dinjitetin dhe qetësinë tuaj, transmeton Telegrafi.

Mos u përpiqni t’u pëlqeni të gjithëve

Mos u mundoni të krijoni “atmosferë të mirë” me çdo kusht. Nëse dikush e shpërfill përpjekjen tuaj, mos e shpenzoni energjinë për ta bindur. Në vendin e punës, përqendrohuni te detyrat tuaja, jo te fakti nëse kolegët ju pëlqejnë apo jo.

Ruani neutralitetin

Mos shkoni në ekstreme. As mirësjellja e tepruar dhe as agresiviteti nuk ndihmojnë. Komunikoni qetë, shkurt dhe qartë. Jini të sjellshëm, por pa emocione të panevojshme, sikur të flisnit me një të panjohur.

Ndaluni para se të përgjigjeni

Nëse ndiheni të fyer, mos reagoni menjëherë. Jepini vetes disa sekonda për t’u qetësuar. Kjo ju ndihmon të ruani kontrollin dhe të tregoni vetëbesim.

Kjo strategji ju ndihmon të mbroni kufijtë tuaj personalë, të mos vareni nga mendimi i të tjerëve dhe të mos lejoni që qëndrimet e tyre të prishin qetësinë tuaj. /Telegrafi/