LAJMI I FUNDIT:

Diku edhe i çmenduri e i vdekuri vlejnë, e diku as i zgjuari i gjallë!

Diku edhe i çmenduri e i vdekuri vlejnë, e diku as i zgjuari i gjallë!

Pink Floyd sërish me album të ri. Në një kohë kur famën e caktojnë më shumë skandalet e budallallëqet që përhapen në formë virale në mediet sociale; në kohën kur doli e saktë “profecia” e vitit 1968 e Andy Warhollit se në të ardhmen të gjithë do të jenë botërisht të famshëm për 15 minuta; Pink Floyd pas 20 vitesh “dalin nga heshtja” dhe thyejnë rekordet e porosive në tregun online Amazon.

Duket e çuditshme kjo! Një grup i cili për 20 vite nuk e ka lansuar asnjë projekt të ri, adhuruesit e dikurshëm të të cilëve janë gjyshër në ditët e sotshme e shumë prej tyre nuk jetojnë, e mundën atraksionin e ri të tinejxherëve të sotshëm (siç ishin dekada më parë Pink Floyd) – grupin One Direction.

Kjo megjithatë nuk është e habitshme për një botë të përparuar, në përparimin e të cilës kishin lënë gjurmë edhe Pink Floyd. Sepse, është fenomeni rreth këtij emri që zgjon përherë kureshtjen dhe interesimin. Diçka që lë gjurmë të mira në kujtesë dhe shpirt, nuk mund të shuhet lehtë, ndaj çdo freskim i kësaj ndjesie perceptohet si lajm i mirë dhe me rëndësi.

Albumi “The Endless River” është përmbledhje e materialit që Pink Floyd kishte incizuar 20 vjet më parë, teksa realizohej albumi i fundit i tyre, “The Division Bell”. 20 orë incizime u finalizuan dhe u përpunuan në 21 tema, 20 nga të cilat janë instrumentale.

Ky album është krejt ndryshe nga projektet e mëparshme të grupit, por edhe një rikthim në eksperimentet e kaluara të viteve ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, kur ata hulumtonin ta etablonin stilin dhe identitetin e tyre të ri – para se të realizonin albumin “The Dark Side of the Moon”.

Tek “The Endless River” mund të vërehet mënyra e të menduarit sikurse në albumin “Wish You Were Here”, “Meddle” e mbase edhe “The Dark Side of the Moon”, të realizuara këto në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur anëtarët e grupit kishin unitet dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin. Por, ngjyrimi dhe tingujt janë të njëjtë me albumin “The Division Bell” të vitit 1994, që është edhe koha kur këto tema janë incizuar.

Albumit të ri i mungon kreativiteti, por i mungojnë edhe idetë. Gjithçka ngjan me një sesion ushtrimesh, me një si ngrohje për të bërë diçka të zgjuar që do të mund të mbahet mend e do të ngulitet në mendje tek të tjerët. Por, nuk ndodh kështu. Prandaj, albumin mund ta krahasojmë me eksperimentin që grupi e kishte bërë në vitin 1969 me albumin “Ummagumma”, kur secili jepte diçka nga vetja, e totali ishte pothuajse asgjë meqë mungonte drejtimi – lideri. Ndërsa, miti dhe identiteti Pink Floyd u krijua nga “dirigjenti” që kishte ide për të krijuar të veçantën, por edhe që dinte të nxirrte më të mirat nga të tjerët në grup.

Sidoqoftë, çdo adhurues i bendit Pink Floyd është i lumtur ta ketë këtë album në koleksion, sepse është një jehonë nga e kaluara, siç ishte në vitin 2000 albumi “Is There Anybody out There” – një përmbledhje e interpretimeve live të albumit “The Wall” në vitet 1980 dhe 1981; apo turnetë “The Dark Side of the Moon” dhe “The Wall” të ish anëtarit dhe ish liderit të grupit, Roger Waters.

Pos kësaj, albumi është i nënshkruar nga një emër i madh që e relativizon çdo të metë. Projekti rikthen tek adhuruesit tingujt e veçantë e të padëgjuar më parë të anëtarit tashmë të ndjerë, Richard Wright, ndërsa ngjyrimi i përgjithshëm është ambiental dhe ofron një prehje ndryshe për të gjithë ata që e duan muzikën e tyre.

Mbi të gjitha, edhe në këtë projekt dominon guximi, tipar ky që e ka karakterizuar përherë këtë grup, që nga viti 1965 kur bëhen bashkë studentët e artit dhe të arkitekturës: Syd Barrett (solo-kitarë), Nick Mason (tupanat), Roger Waters (bas) dhe Richard Wright (instrumentet me taste).

Nga ky bashkim dhe nga guximi i këtyre katër emrave, më vonë lind edhe miti. E, nga ky fakt dhe nga realiteti shoqëror në të cilin u ngritën Pink Floyd, shqiptarët kanë nevojë të marrin mësim. Sepse, të guximshmit mbijetojnë në shoqëri të guximshme dhe inteligjente. Shoqëritë e tilla ndërtojnë shtet normal e të respektuar. Mu për këtë, një anglez i çmendur si Syd Barret dhe një tjetër anglez i vdekur si Richard Wright, kanë më shumë ndikim sot në botë se secili “personalitet normal” e i gjallë i joni.

Nisur nga kjo, nuk është e tepërt të kthehemi pak te historiati i grupit Pink Floyd dhe të tërheqim paralele me realitetin tonë shqiptar.

Pink Floyd u formua në periudhën që njihej si Swinging London, të një fenomeni rinor që promovonte të renë, optimizmin dhe revolucionin kulturor (kundër-kulturën) që ndërlidhej me lëvizjen hipi të San Franciskos në SHBA.

Kjo rini rebelohej kundër sistemit politik, ndërsa proklamonte paqen, dashurinë dhe lirinë individuale. Ata i urrenin vlerat morale të kohës, korrupsionin dhe autoritetin e pushtetit politik dhe ekonomik të “Vëllait të Madh” – koncept ky i shkrimtarit të njohur anglez George Orwell, në kryeveprën e tij “Nineteen Eighty-Four” (1984 ) – dhe frazën “Vëllai i Madh po të vëzhgon” që perceptohej si imponim i mendimeve dhe si ndalesë e fjalës së lirë nga elita e atëhershme politike.

Pink Floyd e nisi karrierën në ato vite që i dhanë drejtim krejt tjetër historisë dhe botës. Stili, tekstet dhe interesimi për tingujt elektronikë, i bëjnë shpejt ata prijësit e muzikës psikodelike angleze dhe të asaj që më vonë do të njihet si rok progresiv. E njëjta vlen për aspektin estetik të paraqitjes skenike gjatë interpretimeve para publikut, apo të kopertinave të albumeve. Këto dy tipare tjera – pos muzikës – i bëjnë ata të jenë edhe më të veçantë, por edhe më enigmatikë në sytë e të tjerëve.

Fatkeqësisht, përdorimi i tepërt i LSD-së e shpie në çmenduri të përhershme anëtarin kryesor të grupit, Syd Barret (vendin e të cilit si solo-kitarist do ta zë David Gilmour), mungesa e të cilit do t’i detyrojë anëtarët e tjerë ta gjejnë shpëtimin në një profilizim të ri – muzikor dhe lirik.

Rezultatet e këtij transformimi më së miri vërehen në albumin “The Dark Side of the Moon”, të vitit 1973, i shitur deri sot në jo më pak se 45 milionë kopje. Nga ky moment grupi dominohet nga Roger Waters. Kjo periudhë post-Barret tash karakterizohet me tema më konkrete, si çmenduria, lufta dhe politika. Por, dominimi i Watersit – ndonëse solli albumet më të mira e më të shitura, e ndonëse e bëri bendin të jetë një nga më të mëdhenjtë në histori – megjithatë shkaktoi probleme të brendshme. Këto probleme kulmojnë në vitin 1984, kur forca shtytëse e grupit, Roger Waters, largohet nga grupi.

Nick Mason këtë largim tash së voni e krahasoi me “vdekjen e Stalinit”, sepse duhej kohë që anëtarët tjerë të “merrnin” e ta “gjenin” veten.

“Por, po të mos e kishim Sydin e çmendur dhe Rogerin e çmendur, mbase do të bënim ‘Chirpy Chirpy Cheep Cheep’ (këngë ‘limonadë’, hit i vitit 1971 i grupit Middle of the Road, e sot i harruar – v.j.)”, ka thënë Mason.

Pra, Nick Mason, David Gilmour dhe Richard Wright nuk e kishin të lehtë ribashkimin dhe krijimin e ideve për dy albumet e ardhshme nën emrin e madh Pink Floyd – “A Momentary Lapse of Reason” dhe “The Division Bell”. Megjithatë, guximi nuk ju mungoi, kështu që më 1995 do të realizojnë edhe një nga turnetë më të suksesshme, më inventive dhe më fitimprurëse në histori, projekt ky që do të finalizohet edhe me albumin e suksesshëm e të dyfishtë – “Pulse”.

Barretti vdiq më 2006, në moshën 60-vjeçare. Kreativiteti muzikor që ai e shprehu në pak vite, ishte frymëzim për muzikantët e mëdhenj, si: Paul McCartney, Pete Townshend, Jimmy Page, David Bowie, Brian Eno… Izolimi, gjendja e tij e mjerë dhe e dhimbshme, ishin frymëzim për albumet antologjike që Pink Floyd i realizoi në vitet ’70 të shekullit të kaluar.

Njëzet vjet pas albumit “The Division Bell”, del albumi “The Endless River”, që i dedikohet kolegut Richard Wright që vdiq më 2008. Në këtë album vërehet stili i tij, i thjeshtë dhe konkret. Wright njihet edhe si një nga interpretuesit më të mirë të organove, ndaj me këtë album tribut ai do të vazhdojë të jetë inspirim që ky instrument “arkaik” të mos e humb rolin e dikurshëm në muzikë.

Kështu, Pink Floyd vazhdojnë të jenë atraktivë në tregun muzikor. Ata kanë shitur mbi 300 milionë disqe. Ndërsa, edhe sot thyejnë rekorde, sepse janë gjeneratë e një kohe që sakrifikoi për ta ndryshuar botën për mbarë. Ata ishin – njëjtë si Bill Clinton dhe Tony Blair, si Steve Jobs dhe Steve Wozniak (themeluesit e “Apple Macintosh”), si Steward Brand (ideologu i internetit)… – pjesëmarrës në një lëvizjeje revolucionare, synimi i të cilës ishte që të barazohet individi me institucionin.

Dhe, ia dolën, e për këtë sot nderohen.

Pink Floyd, njëjtë si shumë rok grupe të tjera të mëdha, dëshmuan se secili mund të jetë muzikant, pa marrë parasysh edukimin, njëjtë siç dëshmoi Jobs se nuk të duhet fakulteti për të qenë vizionar. Këta e patën guximin, por suksesi ju erdhi sepse jetuan në shoqëri të guximshme.

E te ne, për këta emra, për këta rokerë që përfaqësojnë një ideologji progresive, nxënësit në librin “Edukata Qytetare”, për klasën e 10, mësuan: “Muzika rok, pornografia, dhuna në televizion – që janë akte jo të mira – janë provuar plotësisht si kriminale”!

Në Fakultetin Juridik, studentët kanë mësuar se “viktimat të marrëdhënieve seksuale me dhunë zakonisht janë femrat që gënjehen lehtë, të pakujdesshme, mendjelehta, dhe të përdalura, rrethanat te të cilat sjellin me vete edhe një situatë viktimogjene (sulmin ndaj tyre)”, duke krijuar mbase precedent për arsyetimin dhe amnistimin e çdo dhunuesi!

Ndërsa, në Fakultetin e Mjekësisë thuhet se tatuazhet janë “marrëzi rinore e papërgjegjshme”, pa çka që tatuazhe të tilla kishte gjeniu Thomas Edison, presidentët amerikanë Andrew Jackson, James K. Polk dhe Teddy Roosevelt, poetja Dorothy Parker, shkrimtari George Orwell, pastaj lideri më i madh britanik Winston Churchill…

Raste të tilla të librave pa vlerë janë të shumta. Librat e injorantëve nxënësit i lexojnë, pedagogët injorantë ato ua ligjërojnë! Prandaj, ndërtimi i injorancës në shkolla dhe fakultete rezulton me një pushtet injorantësh në çdo sferë të shoqërisë. Ndërsa, populli rri i heshtur, sepse nuk ka guxim ta ndryshojë këtë gjendje.

Mu për këtë, talentet ikin nga Kosova, sepse këtu nuk shohin ardhmëri. Këtu guximi nuk çmohet, e as dija. Ndaj, në aspektin shoqëror, ndonëse në Evropë, ne jemi shumë larg botëkuptimeve dhe vlerave të saj. Për krahasim: përderisa para 50 viteve të rinjtë në Angli, SHBA, Francë, Gjermani… e ndryshuan botën, sot të rinjtë tanë janë larg këtij ndryshimi, sepse rrinë në heshtje, me shpresën dhe angazhimin e vetëm për të ikur nga këtu!

E dhimbshme! E tmerrshme!

Andaj, meqë shkas është albumi i fundit i Pink Floyd për ta ilustruar shoqërinë tonë, për fund është mirë të rikujtohet kënga e tyre e parë, e incizuar më 1967 – “Arnold Lane”. Kjo këngë flet për një transvestit. Kaq. E tillë mbase ishte shoqëria perëndimore para 50 vitesh. Kjo është shoqëria jonë sot, përderisa nuk e dimë çka jemi!?