Digjet resorti i famshëm në Republikën Domenikane, evakuohen 1700 pushues


Një zjarr i fuqishëm përfshiu një resort luksoz bregdetar në Republikën Domenikane, duke shkaktuar vdekjen e një turisteje italiane dhe evakuimin e rreth 1700 mysafirëve.
Sipas autoriteteve lokale të emergjencës, viktima është një grua 46-vjeçare nga Italia. Tre persona të tjerë u dërguan për trajtim në spital, ndërsa gjashtë morën ndihmë mjekësore në vendngjarje.
Flakët shpërthyen në orët e para të mëngjesit në resortin Viva Wyndham Dominicus Beach në Bayahibe.
Pamjet ajrore treguan disa ndërtesa të përfshira nga zjarri dhe re të dendura tymi që mbuluan zonën turistike, shkruan bbc.
- YouTube youtu.be
Hetimet paraprake tregojnë se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta dhe kulmeve prej kashte në disa objekte të resortit. Shkaku i saktë i shpërthimit të flakëve ende nuk është bërë i ditur.
Qendra e Operacioneve Emergjente njoftoi se zjarri është vënë nën kontroll dhe të gjithë mysafirët janë transferuar në hotele të tjera. Autoritetet theksuan se aktivitetet turistike në Bayahibe dhe zonat përreth vazhdojnë normalisht.
Ndërkohë, ambasada italiane në Republikën Dominikane po ndihmon qindra turistë italianë të prekur nga incidenti, duke u siguruar dokumente emergjente udhëtimi dhe organizuar kthimin e tyre në Itali.
Bayahibe është një nga destinacionet më të njohura turistike në Karaibe, i famshëm për plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat e kristalta. /Telegrafi/



































