Digjen katër betoniere në Fushë Dukat, policia nis hetimet për zjarrvënie të qëllimshme

Një incident i rëndë është shënuar gjatë orëve të natës në zonën e Fushë Dukatit, ku katër automjete të tonazhit të rëndë, të përdorura për transportin e betonit, janë përfshirë nga flakët brenda ambienteve të një pike prodhimi betoni, në pronësi të shtetasit Blerti Mehillaj.
Sipas të dhënave paraprake, mjetet kanë qenë të parkuara në territorin e subjektit në momentin kur ka rënë zjarri. Dyshimet e para të hetuesve flasin për një akt të qëllimshëm, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka depërtuar në ambientet e kompanisë, ka hedhur lëndë djegëse mbi automjetet dhe më pas u ka vënë flakën, raporton euronews.al
Forcat e policisë dhe grupi hetimor mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa po kryhen veprimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e autorit të dyshuar.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të konsiderueshme.











































