Më shumë raste te fëmijët, por edhe më shumë zgjidhje: sensorët, pompat dhe kontrolli i avancuar i diabetit

Dr. Hafize Rafuna
Endokrinologe Pediatrike
📞 +383 44 265 800



Rritja e rasteve tek fëmijët

Në dekadat e fundit, në mbarë botën është vërejtur një rritje e ndjeshme e rasteve të diabetit në fëmijëri, sidomos e diabetit mellitus tip 1, që është forma më e shpeshtë tek fëmijët dhe adoleshentët.

Incidenca e këtij tipi të diabetit është rritur me rreth 3-4% çdo vit, veçanërisht tek fëmijët nën moshën 5 vjeç.

Shkaqet nuk janë tërësisht të qarta, por besohet se ndikojnë faktorët gjenetikë, ambientalë dhe imunologjikë, si:

▪ infeksionet virale,
▪ mungesa e ekspozimit ndaj mikrobeve në fëmijëri (“hipoteza e higjienës”),
▪ ndotja dhe ndryshimet në ushqyerje.

Ndërkohë, diabeti tip 2, që dikur shihej vetëm tek të rriturit, po paraqitet gjithnjë e më shpesh edhe tek adoleshentët. Rritja e obezitetit, mënyra aktive e jetesës dhe ushqimi i pasur me sheqerna janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë zhvendosje drejt moshave të reja.

Monitorimi modern i glukozës

Falë zhvillimeve teknologjike, sot kontrolli i diabetit është shumë më i lehtë dhe më i saktë.

Në vend të matjeve të shpeshta me gjilpërë, fëmijët mund të përdorin sensorë të vazhdueshëm të glukozës (CGM- Continuous Glucose Monitoring), të cilët matin nivelin e sheqerit në ind nënlëkuror çdo 5 minuta.

Këto pajisje:

▪ dërgojnë sinjale alarmi në rast të hipoglikemisë ose hiperglikemisë,
▪ lidhen me telefonin ose orën inteligjente të prindërve,
▪ ndihmojnë mjekun të vlerësojë me saktësi luhatjet ditore të glukozës.

Sensorët kanë përmirësuar dukshëm cilësinë e jetës dhe sigurinë e fëmijëve me diabet.

Pompat e insulinës dhe sistemet hibride

Një tjetër përparim i madh është përdorimi i pumpave të insulinës, të cilat zëvendësojnë injektimet e shumëfishta ditore.

Pompat moderne:

▪ lëshojnë sasi të vogla insuline gjatë gjithë ditës (bazale),
▪ lejojnë dozime shtesë në vaktet e ushqimit (bolus),
▪ mund të lidhen me sensorët e glukozës për të formuar sisteme hibride “closed-loop”, që vetë-rregullojnë dozën e insulinës në mënyrë automatike.

Këto teknologji janë bërë standard në shumë vende evropiane dhe po përhapen gjithnjë e më shumë edhe në rajonin tonë, duke ofruar menaxhim më të sigurt, më të saktë dhe më të përshtatshëm për fëmijët.

Përfundim

Rritja e rasteve të diabetit në fëmijëri kërkon ndërgjegjësim, diagnostikim të hershëm dhe mbështetje të vazhdueshme për fëmijët dhe familjet e tyre.

Teknologjitë e reja si sensorët e glukozës dhe pompat e insulinës kanë sjellë një revolucion në trajtimin e diabetit, duke e bërë jetën me këtë sëmundje më të lehtë dhe më të sigurt se kurrë më parë. /Telegrafi/