LAJMI I FUNDIT:

Diabeti dhe vozitja

Diabeti dhe vozitja
Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Jeta sot është shumë dinamike dhe për shumicën e njerëzve, ngasja e veturës përfaqëson lirinë dhe kompetencën për t’u ballafaquar me obligimet e përditshme

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722


Për shumë njerëz, drejtimi i veturës është i rëndësishëm ekonomikisht – disa ngasin veturën, sepse e kanë profesion të tyre, derisa të tjerët duhet të vozisin për të shkuar dhe për t’u kthyer nga puna.

Vozitja është një aftësi komplekse. Aftësia jonë për të vozitur në mënyrë të sigurt mund të ndikohet nga ndryshimet në gjendjen tonë fizike, emocionale dhe mendore.

Si mund të ndikojë diabeti në aftësinë e vozitjes së veturës?

Në afat të shkurtër, diabeti mund të bëjë që niveli i glukozës në gjak të jetë shumë i larta (ose shumë i ulët) dhe si rezultat, diabeti mund t’ju bëjë:

🔶 të ndjeheni të përgjumur ose të trullosur
🔶 të keni shikim të paqartë
🔶 të humbni vetëdijen ose të keni konvulsione

Në afat të gjatë, diabeti mund të çojë në probleme që ndikojnë në drejtimin e automjetit. Diabeti mund të shkaktojë dëmtime nervore në duart dhe këmbët ose edhe në sy.

Në disa raste, diabeti (i pakontrolluar mirë!) mund të shkaktojë verbërim ose mund të çojë në amputim të gjymtyrëve.

A mund të vozitni edhepse jeni me diabet?

Po, njerëzit me diabet janë në gjendje të drejtojnë veturën nëse nuk kufizohen nga disa ndërlikime të diabetit. Këto ndërlikime përfshijnë nivelet e skajshme të rënda të glukozës në gjak ose probleme me shikimin.

Nëse jeni duke përjetuar komplikime të lidhura me diabetin, duhet të punoni ngushtë me endokrinologun për të zbuluar nëse diabeti ndikon në aftësinë tuaj për të drejtuar veturën.

Çfarë mund të bëni për t’u siguruar që mund të vozisni veturën në mënyrë të sigurt edhepse jeni me diabet?

Insulina dhe disa medikamente orale mund të shkaktojnë ulje të theksuar të nivelit të glukozës në gjak (hipoglicemia).

Nëse niveli i glukozës është i ulët, hani një ushqim të lehtë që përmban sheqer me veprim të shpejtë si lëng me sheqer , karamele të forta ose tableta glukoze. Prisni 15 minuta dhe më pas kontrolloni sërish glukozën në gjak. Trajtoni hipoglikeminë përsëri sipas nevojës. Mos vazhdoni të vozitni derisa të përmirësohet niveli i glukozës në gjak,

Cili është rreziku i krizave të hipoglikemisë?

Këto kriza mund të prekin njerëzit që marrin medikamente të caktuara për të trajtuar diabetin, duke përfshirë insulinën dhe medikamente si Sulfonilurea dhe ndonjëherë mund të jenë vërtet të rënda kur ju mund të keni nevojë për ndihmë për t’i trajtuar ato.

Flisni me endokrinologun nëse nuk jeni të sigurt nëse jeni në rrezik për t’i pasur këto dhe çfarë mund të bëni për t’i parandaluar ato.

Nëse tashmë e dini se jeni në rrezik për të pasur kriza hipoglikemie, ndiqni këto këshilla për ta ulur rrezikun e shfaqjes së krizave hipoglikemike derisa jeni në timon:

🔶 Njihni simptomat e hipoglikemisë dhe ndaloni nëse i keni këto shenja
🔶 Mbani shirita testimi të sheqerit në gjak në veturë dhe kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak përpara se të niseni dhe çdo dy orë në udhëtime të gjata.
🔶 Sheqeri në gjak duhet të jetë 5 mmol/l ose më i lartë përpara se të nisni të vozitni. Nëse është midis 4 mmol/l dhe 5 mmol/l, hani disa karbohidrate përpara se të niseni.
Nëse sheqeri është nën 4 mmol/l trajtojeni hipoglikeminë dhe kontrolloni përsëri sheqerin përpara se të vozitni. Kujdes! Vlerat e glikemisë kanë variacione individuale, prandaj patjetër konsultohuni me endokrinologun se cilat janë vlerat e glikemisë adekuate për ju.
🔶 Mbani gjithmonë ushqimet për trajtimim e hipoglikemisë në një vend në veturë ku mund t’i arrini lehtësisht.
🔶 Bëni pushime në udhëtime të gjata.
🔶 Hani rregullisht dhe mos i vononi vaktet e të ushqyerit.

Diabeti dhe ecja - fuqia e ecjes për ta ulur sheqerin në gjak
Lexo po ashtu Diabeti dhe ecja - fuqia e ecjes për ta ulur sheqerin në gjak

Komplikim tjetër është retinopatia. Retinopatia është dëmtim i enëve të gjakut që furnizojnë retinën e syrit dhe mund të shkaktojë humbje të të pamurit. Retinopatia është e lidhur me sheqerin e lartë në gjak dhe presionin e lartë të gjakut, kështu që është më e shpeshtë tek njerëzit me diabet.

Nëse filloni të keni probleme me sytë, duhet të njoftoni mjekun për të bërë testimin e të pamurit. Disa probleme të të pamurit mund të trajtohen me sukses, që do të thotë se ju mund të vazhdoni të vozitni edhe më tutje.

Një komplikim tjetër është neuropatia. Neuropatia është dëmtim i nervave dhe kjo bën që ju të humbni ndjesitë në duar dhe këmbë, si dhe mund të shkaktojë probleme në pjesë të tjera të trupit.

Nëse neuropatia është e theksuar ose është dashur që të bëhet ndonjë amputim do të keni nevojë për një automjet të përshtatur për nevojat tuaja.

Komplikime të tjera të diabetit që mund të ndikojnë në drejtimin e automjetit është apnea e gjumit. Kjo shkakton humbje të vetëdijes ose përqendrimit. Kjo mund ta bëjë më të vështirë për ju që të përqendroheni gjatë ditës për shkak të përgjumjes ekstreme.

Njerëzit me diabet janë në gjendje të drejtojnë veturën nëse nuk kufizohen nga këto ndërlikime të diabetit.

Patjetër diskutoni me endokrinologun se çfarë veprime mund të ndërmerrni për të vazhduar vozitjen në mënyrë të sigurt. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori