Qeveritë gjysmake të periudhës para pavarësisë u kritikuan, dhe u ndëshkuan nga vota e popullit, apo nga lidershipi partiak. Jemi dëshmitarë se disa nga protagonistët kryesorë të asaj kohe shfrytëzuan turbulencat politike për të përfituar nga situata. Sot ata ish-kryeministra e ministra i shohim edhe zyrtarisht jashtë partive të cilave u dhanë njollë të zezë. Ka edhe të tillë që po hapin parti të reja, me shpresë se imazhi u është përmirësuar. Edhe të atillë që mësyejnë politikën për herë të parë, duke u thirrur në kritikë e ndryshim pa ofruar alternativë, dhe duke hedhur poshtë të gjitha punët që janë bërë deri më tani, duke na pyetur “Ku je ti?”.
E ku ishin ata deri sot?

E pati fatin Qeveria e fundit që të gjente Kosovën defakto para aktit të kryer të pavarësimit, gati në përafrimin e proceseve të nevojshme dhe krijimit të kushteve optimale për shpallje. E shpallën teknikisht, mirëpo puna e madhe ishte kryer nga luftëtarët e denjë të luftës e paqes, si dhe pjesërisht edhe nga Qeveritë e kaluara (para 2007-tës), e jo siç na drejtohet kryeministri në veten e parë njëjës!


Heqja e fotografisë së Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe mos-ftesa e familjes Haradinaj në ceremoninë e shpalljes së Pavarësisë, na dha sinjale të qarta se çfarë na priste më tutje nga kjo qeveri. Megjithatë, para ca ditëve, tek zbulimi i shtatores së luftëtarëve të lirisë “Toni e Mici” në Rahovec, baca Hilmi iu afrua Thaçit dhe ia zgjati dorën.

Qeveria e fundit, e vetmja me kompetenca të plota, para ardhjes në pushtet ishte opozitë e fortë me fjalë, mirëpo ishte pa planprogram detajor, dhe pa alternativë të qartë për qytetarin e Kosovës. Shumë kritika, shumë premtime, shumë vetëbesim, asnjë zgjidhje konkrete. Fatkeqësisht, ashtu erdhi në pushtet, për të rënë në mënyrën më bizarre të mundshme – duke rrëzuar vetveten! Duke mos lënë pas asnjë politikë të suksesshme që përmirësoi jetën e qytetarëve. Prandaj edhe nuk bëri vlerësim të mandatit qeverisës, ashtu siç bëjnë të gjitha Qeveritë në largim.

Asgjë për t’u çuditur nga kjo Qeveri që i dhuroi botërisht Kosovës faqen e zezë. Me plot vullnet e hodhi Kosovën si prijëse në listën e shteteve më të korruptuara të rajonit në Transparency International 2010. Me vetëdije kontrollon politikat editoriale në shumicën e mediumeve, duke katandisur shtetin tonë pranë Zambisë, Ugandës, Mozambikut, e Timorit Lindor në Indeksin e Lirisë së Medieve të Reporterëve pa Kufij. Me neglizhencë të plotë injoroi mundësinë e zhvillimit të Kosovës përmes bizneseve të reja, duke vendosur Kosovën në vendin e 119-të në listën e Bankës Botërore “Të bësh biznes” (gjashtë vende më poshtë se vitin e kaluar) në mesin e shteteve si Swazilandi, Palau, e Uruguai. Duke lënë rrugëve rreth 75% të bashkëmoshatarëve të mi, pa punë e perspektivë. E të gjitha bashkë, nuk na lejojnë sot që ne të presim duarhapur liberalizimin e vizave dhe perspektivën evropiane, siç e përqafuan edhe zyrtarisht dje shtetet e fundit të rajonit. Kosova mbeti edhe zyrtarisht brenda kafazit të Vëllait të madh. Nën mbikëqyrje.

Çka e rëndon edhe më shumë këtë barrë të Kosovës është neglizhenca dhe mospranimi i vazhdueshëm që iu bëhet këtyre raporteve ndërkombëtare nga po këta zyrtarë në rënie. A thua kjo qeveri dëshiron të na bëjë të mendojmë se e gjithë bota është kthyer kundër nesh me këto raporte? A thua dëshirojnë të na izolojnë mendjen dhe të na vrasin aftësinë e vetëvlerësimit të gjendjes faktike? Mospuna dhe papërgjegjësia e 20 top-njerëzve të qeverisë fitoi mbi vullnetin e plotë të popullit mbi 2 milionësh të Kosovës, të cilët sot nuk mund t’i gëzohen plotësisht pavarësimit dhe nuk i shijojnë frytet e saj.

Sot, ne rinia e Kosovës, në këta muaj të fundvitit, në vend që të festojmë për lirinë e lëvizjes, dhe liberalizimin drejt Evropës, duhet të shijojmë festën ulur pranë ekranit televiziv. Maratona e dhuratave për rininë e Kosovës për festat e fundvitit filloi dje me publikimin e Raportit të Regresit për Kosovën, dhe do të vazhdojnë më tutje me debatet bajate nëpër televizione, në thirrjet pa zë për të mbushur masovikisht sallat e tubimeve, për t’u brohoritur premtimeve të tyre të mjera. Të rinjtë punësohen vetëm atëherë kur duhet të vendosin postera nëpër fshatra e qytete, kur duhet të vëzhgojnë zgjedhjet, e kur duhet të dalin në reklama farsë për Kosovën (si ajo e “Kosovo – The young Europeans).
Të gjitha këto dhurata për festat e fundvitit , për rininë e Kosovës nga Qeveria në rënie.

Fatkeqësisht jemi në gjendje ku edhe thënia e komedianit amerikan William C. Fields: “Unë nuk votoj kurrë PËR. Votoj gjithmonë KUNDËR” është e pranueshme dhe ka kuptim.

Vota ka peshë, dhe secila nga to paraqet potencial ndryshimi e ndëshkimi. Ajo duhet të jetë kualitative, në kuptimin se secili prej nesh pa përjashtim duhet të shqyrtojë mirë konceptet politike që na servohen, dhe të vendosë për atë të cilin mësoi më shumë nga gabimet dhe u përmirësua. Për atë parti që me prurjet dhe emrat e rinj në gjirin e saj, largoi ata të cilët janë bashkëpjesëmarrës të gjendjes së sotme, largoi ata që janë dëshmuar se nuk janë të interesuar për zhvillimin e vendit, por për zhvillimin e vetvetes.
Kësaj radhe nuk mund të rrezikojmë zhvillimin e Kosovës.

(Autorja është Përfaqësuese e zgjedhur e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës)