LAJMI I FUNDIT:

Dhurata e kthyer e mikut Reeker

Dhurata e kthyer është mesazh i keq. Në traditën e shqiptarëve kthimi i dhuratës së dhënë në shenjë miqësie ka domethënien e prishjes së miqësisë. Dhe prishja e miqësisë është ogurzi.

Kthimi i gurit të dhuruar nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova nga ana e ambasadorit amerikan në Shkup, Philip Reeker, është akt lëndues. Prek sedrën e shqiptarëve dhe është befasi që s’mund të deshifrohet. Nëse ambasadori ka dashur me kthimin e gurit të çmuar të përçojë porosinë se është luhatur miqësia e amerikanëve me shqiptarët, atëherë është gjest jodiplomatik. Kuptohet nëse është bërë kokë me vete nga Reeker, i cili në qershor do të kthehet në Departamentin Amerikan të Shtetit, në post të lartë drejtues.


Gurin që ia kishte dhuruar ndërsa ka qenë gjallë Ibrahim Rugova, sikur Reeker nuk do ta bartë me vete dhuratën. Pa kurrfarë arsye ai ia kishte lëshuar në dorë ambasadorit të Kosovës në Shkup.

Nëse guri ka qenë artefakt, atëherë do të ishte i kuptueshëm kthimi, por akti lë të hapur dilemën e madhe – nëse administrata amerikane është “ftohur” nga shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë, të cilët ditë e më shumë po dëshmojnë se nuk janë të zotë t’i drejtojnë këto tri shtete.

Reeker është njohës i mirë i rrethanave shqiptare. E njeh për së afërmi problemin e Kosovës dhe Maqedonisë. Ishte në kohën e luftës së Kosovës përkrah ambasadorit Christopher Hill dhe zëdhënës në Konferencën e Rambouilletit.

Ai të enjten në Shkup me zyrtarin e lartë amerikan Thomas Countryman kanë kuvenduar për problemet e shqiptarëve dhe kanë “përgatitur” kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski për takimin që do ta ketë me Joe Biden dhe Hillary Clinton. Gjykuar nga deklaratat që erdhën të enjten pas takimit, i është dhënë përkrahje Gruevskit për të mbajtur vijën e deritanishme karshi problemeve të hapura me Greqinë dhe probleme të hapura me shqiptarët brenda shtetit.

Në mëdyshjet e miqësisë shqiptaro-amerikane është edhe vizita e eksponentit të politikës së moderuar proamerikane të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Shutanovac në anije-bartësin amerikan Enterprise. Aty nuk ka mundur lehtë të shkel këmbë e të huaji, ndërsa Shutanovac dhe gjeneralëve Miloje Miletiq dhe Ranko Zhivak. Thuhet se në Enterprise hipnin vetëm zyrtarë të vendeve mike të SHBA-ve.

E shqiptarët e hazarduan miqësinë me amerikanët. Në vend që të lexohen vazhdimisht mesazhet e tyre se e duan një Kosovë të drejtuar pa njerëz të korruptuar, ku nuk ka vend për krim të organizuar, u neglizhuan në skajshmëri këto mesazhe. Edhe për zhvillimet e fundit rreth qeverisë se re erdhën mesazhe të njëjta që po hasin në vesh të shurdhër. Në Shqipëri u bë bozë me shtetin, ndërsa në Maqedoni shqiptarët, si duket, kanë marr karton të kuq nga amerikanët. Përndryshe, s’ka qysh kuptohet politika agresive e Gruevskit ndaj shqiptarëve.

Ndërsa në qershor të këtij viti në Beograd do të mbahet konferenca e rregullt vjetore e NATO-s dhe shteteve partnere, dhe kjo krejt falë Shutanovacit. Në këtë konferencë do të marrin pjesë 14 shtetet anëtare të Iniciativës së Stambollit, ndërsa, me këtë, i hapen dyert Serbisë për anëtarësim në NATO pas nënshkrimit të Partneritetit për Paqe qysh para pesë viteve.