LAJMI I FUNDIT:

Dhjetëra mjekë në Bullgari japin dorëheqje, pasi u informuan që do të trajtojnë pacientët me coronavirus

Dhjetëra mjekë në Bullgari japin dorëheqje, pasi u informuan që do të trajtojnë pacientët me coronavirus

Dhjetëra mjekë dhe infermierë në Bullgari kanë dhënë dorëheqje në dy spitalet e Sofjes, pasi u informuan se do të trajtojnë pacientët me Covid-19.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, punëtorët e mjekësisë kanë deklaruar që nuk janë të furnizuar me mjete mbrojtëse dhe pajisje të duhura për t’i trajtuar pacientët, ndërsa ditë më parë parlamenti bullgar shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vend.


Dr.Kameliya Bachovska nga Spitali i Dytë i Qytetit në Sofje tha për Al Jazeera se ajo dhe 84 kolegë të tjerë dorëzuan dorëheqjen e tyre, pasi u informuan se spitali i tyre do t’i trajtojë pacientët me Covid-19.

“Spitali nuk posedon pajisje të mjaftueshme mbrojtëse, përfshirë dhe disa spitale të tjera. Pothuajse çdo mjek në Bullgari rrezikon të infektohet për shkak të virusit, veçanërisht doktorët më të moshuar”, ka thënë Bachovksa.

Bachovska ka sqaruar më tej se spitali nuk i ka pajisjet e nevojshme sanitare për të trajtuar një sëmundje infektive, ndërsa shumica e mjekëve dhe infermierëve në institucionin shëndetësor janë afër pensionimit – dhe kanë frikë të trajtojnë pacientët pa u mbrojtur siç duhet.

Javën e kaluar, të paktën gjashtë anëtarë të stafit mjekësor në “Spitalin St Sophia” në kryeqytet gjithashtu dorëzuan dorëheqjet e tyre, duke shprehur shqetësime të ngjashme.

Sipas Dr. Andrei Kotsev, anëtar i sindikatës së pavarur Zashtita, i cili ishte në kontakt me stafin, ka thënë se përveç mungesës së veshjeve mbrojtëse, stafit mjekësor nuk ia kishin dhënë udhëzimin e duhur për procedurat e izolimit dhe sigurinë e pacientëve të tjerë. /Telegrafi/