DFC, Fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa

Gjirafa, kompania më inovative në fushën e teknologjisë dhe e-commerce në rajon, ka zyrtarizuar një investim të rëndësishëm prej 5 milionë dollarësh nga U.S. International Development Finance Corporation (DFC). Ky investim është pjesë e raundit të ardhshëm të financimit të Seria C dhe përfaqëson një hap të madh drejt avancimit të ekonomisë së internetit në Ballkanin Perëndimor, duke vendosur bazat për zgjerim rajonal të Gjirafës.
Një Partneritet që shënon histori
Ceremonia e lansimit të këtij partneriteti u mbajt në ambientet e Gjirafës, ku morën pjesë personalitete të rëndësishme si Erin Elizabeth McKee, Ndihmës Administratore në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID, Jeffrey M. Hovenier, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, dhe Larry Sack, Drejtor për Zhvillim në DFC, përmes një video mesazhi. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe James M. Hope, Zëvendës Ndihmës Administrator i Lartë në USAID, Eileen Devitt, Drejtoreshë e Misionit të USAID në Kosovë, Mergim Cahani, Themeluesi dhe CEO i Gjirafës, si dhe përfaqësues të shumtë nga bizneset dhe mediat.
DFC dhe Gjirafa: Partneriteti i parë i këtij lloji në Kosovë
Larry Sacks, Drejtori për Zhvillim në DFC, e cilësoi këtë partneritet si historik, duke vënë në dukje rolin thelbësor që do të luajë në zgjerimin e shërbimeve të Gjirafa në rajon. Ai theksoi se mbështetja financiare nga DFC do të lehtësojë zgjerimin e shërbimeve të e-commerce dhe medias në të gjithë Ballkanin.
Rrugëtimi drejt Serisë C të financimit
Themeluesi dhe CEO i Gjirafës, Mergim Cahani, ndau rrugëtimin dhe sfidat deri në këtë moment, duke reflektuar mbi misionin e kompanisë për të ndërtuar ekonominë e internetit në Evropën Juglindore. Ai deklaroi se ky investim prej 5 milionë dollarësh është pjesë e objektivit për raundin e ardhshëm të investimeve Seria C, duke mundësuar rritje të mëtejshme.




















































