Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e ka konsideruar të mbyllur seancën konstituive.

Basha theksoi se moszgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit joshumicë serb nuk mund të bëhet pengesë për konstituimin e Kuvendit.


“Janë ezauruar të gjitha opsionet për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë që vjen nga komuniteti jo shumicë serb. Asnjëri nuk është zgjedhur nënkryetar, ku 8 prej tyre nuk kanë marr votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit në të gjitha tentativat, ndërsa dy preh tyre kanë refuzuar të jenë kandidat për nënkryetar.

Ne si kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë për sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti jo shumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se e kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës së seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje konsideroj se kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur...”, tha ai, raporton Telegrafi.

Tutje, kryetari i Kuvendit tha se në emër të funksionalizmit të Kuvendit dhe materializimit të rezultatit zgjedhor të 9 shkurtit, konsideron se moszgjedhja e njërit nga pesë nënkryetarët apo njërit nga gjashtë anëtarit e Kryesisë së Kuvendit nuk mund të bëhet pengesë që bllokon konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Pas përmbyllje së seancës konstituive konsideroj se Kuvendi duhet të vazhdojë punën siç parashihet me Kushtetutë. Si të veprohet tutje me punën tonë si Kuvend, konsideroj që t’i konsultoj anëtarët e Kryesisë së Kuvendit”, tha ai.

Basha caktoi mbledhjen e Kryesisë për të hënën në ora 13:00. /Telegrafi/