Dështon të nisë gjykimi për “Rezervat shtetërore”, mungon Rozeta Hajdari dhe një avokat

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca fillestare në rastin e “Rezervave shtetërore” ku po akuzohen ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi. Seanca dështoi në mungesë të Hajdarit dhe avokatit të Lipovicës- Feim Alaj.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla, tha se mungon e pandehura Hajdari, për të cilën Gjykata ka dërguar ftesë përmes Postës, mirëpo deri më sot nuk kanë marrë përgjigje nëse e njëjta e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I pranishëm në seancë ishte mbrojtësi i saj me autorizim, avokati Florent Latifaj.
Po ashtu, prezent ishte edhe i pandehuri Lipovica. Kurse, mungoi avokati i tij Feim Alaj, i cili e kishte dërguar përfaqësuesen ligjore të zyrës së tij në seancë, e cila tha se përmes e-mailit Alaj e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të prezantojë në seancë pasi që paraprakisht ka marrë ftesë nga Gjykata Themelore në Pejë.
Gjykatësi Syla tha se Gjykata i ka dërguar një e-mail zyrtar duke i kërkuar të gjejë një zëvendësim, mirëpo Alaj prapë e ka njoftuar Gjykatën se ka bërë përpjekje të gjejë avokat zëvendësues, mirëpo nuk e ka marrë pëlqimin e të mbrojturit të tij.
Të pranishëm në seancë ishin Hafiz Gara me avokatin Nazim Mehmeti dhe Ridvan Muharremi me avokatin Mahmut Halimi.
Ndërkaq, nuk ishte i pranishëm askush nga përfaqësuesit e palës së dëmtuar- Avokatura Shtetërore, edhe e kishin pranuar ftesën për seancën e sotme.
Gjykatësi tha se pala e dëmtuar përmes një parashtrese e kanë njoftuar gjykatën se lidhur me këtë rast kanë iniciuar padi në Gjykatën Komerciale dhe kanë konfirmuar se do të jetë prezent në seancat e shqyrtimit gjyqësor.
Më pas, gjykatësi Syla në mungesë të të akuzuarës Rozeta Hajdari, avokatit Feim Alaja, tha se shqyrtimi fillestar shtyhet dhe seanca u caktuar për 13 janar 2026.
Avokati Latifaj merr obligim që për seancën e radhës ta njoftojë Hajdarin, ndërkaq avokatin Alaj do ta njoftojë zyrtarja ligjore e zyrës së tij.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.
Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Betimi për Drejtësi” ka raportuar për aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.
Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.
Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Detajet nga Dosja mund t’i gjeni: KËTU.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” raportoi edhe për atë se cili ishte roli i Hajdarit, Lipovicës, Garës e Muharremit, sipas aktakuzës së PSRK-së në procesin e blerjes së “Rezervave shtetërore”.
Gjithashtu, për të gjitha detajet e atakuzës së këtij rasti, publiku kishte rastin të mësojë në emisionin “Betimi për Drejtësi” me titull “Akuzat speciale për rezervat shtetërore“, i transmetuar më 15 nëntor 2025. /BetimipërDrejtësi/
















































