LAJMI I FUNDIT:

Dështon gjykimi për rastin “Toka”, njëri i akuzuar kishte kontroll mjekësor

Dështon gjykimi për rastin “Toka”, njëri i akuzuar kishte kontroll mjekësor
Foto: Arkiv/Ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca e paraparë për të mërkurën në rastin e njohur “Toka”, për shkak se i akuzuari Shaban Syla do t’i nënshtrohet një kontrolle mjekësore.

Një gjë të tillë, e ka konstatuar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, në gjykatë ka arritur një kërkesë nga i akuzuari Shaban Syla, përmes mbrojtjes së tij, për vizitat mjekësore të cilat janë caktuar të realizohen më 13 dhe 18 janar 2023.

Tutje, gjykatësi Hoti e ka bërë të ditur se gjykata i ka lejuar këto kontrolle mjekësore më 13 dhjetor 2022.

Po ashtu, i njëjti tha se ky është rekomandimi i mjekut dhe se mbrojtja e tij i ka bashkëngjitur provat në lidhje me këtë.

“Seanca e sotme shtyhet për arsye objektive të kontrollit mjekësor”, ka konstatuar në fund gjykatësi Hoti.

Kurse, seanca e radhës pritet të mbahet më 20 janar 2023.

Ndryshe, më 17 nëntor 2022 është bërë veçimi i procedurës për të akuzuarin F.G, pasi që për të njëjtin ishte caktuar të përpilohej një ekspertizë psikiatrike dhe eksperti kishte konstatuar se ai nuk është në gjendje të përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Në seancën e 10 qershorit 2022, Azem Syla dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale që iu vihen në barrë.

Në këtë rast, F.G, ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla dhe të tjerët nga viti 2016 po akuzohen për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin e krimin e organizuar.

Fillimisht në këtë rast kanë qenë 22 të akuzuar, ku për N.U., dhe Sh.M., është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Gjykatësi më pas ka bashkuar procedurën penale ndaj Ilaz Sylës, i cili ka qenë i akuzuar në këtë rast.

Po ashtu, ka bashkuar procedurën edhe ndaj tani të akuzuarit Vidosav Novakovic, duke thënë se në këtë çështje penale do të merret një aktgjykim meqenëse sipas tij, janë provat të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Ndryshe, kjo lëndë fillimisht gjykohej nga gjykatësi Beqir Kalludra dhe pasi që gjykimi ishte afër përfundimit të tij, avancimi i gjyqtarit Kalludra kishte ndikuar që kjo lëndë të mbetej pa u përfunduar.

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë lëndë më pas ia kishte ndarë në punë gjykatëses Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila nuk kishte mbajtur asnjë seancë.

Por, edhe pasi rasti ishte pothuajse në përfundim, kur gjykohej nga gjykatësi Kalludra, i njëjti duhet të nis përsëri. Kjo pasi neni 311, paragrafi 3 i Kodit të Procedurës Penale përcakton se: “kur shtyrja ka zgjatur më shumë se tre (3) muaj ose kur shqyrtimi gjyqësor mbahet para një kryetari tjetër të trupit gjykues, shqyrtimi gjyqësor duhet të fillojë rishtas dhe përsëri të shqyrtohen të gjitha provat”.

Duke u bazuar në Kodin e Procedurës Penale, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve, të akuzuarve dhe provave të tjera që janë shqyrtuar nga gjykatësi Kalludra, duhet që të shqyrtohen edhe njëherë nga fillimi nga kryetari i ri i trupit gjykues, Arben Hoti.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, F.G, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U., Sh.M., Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura.

Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd. /BetimipërDrejtësi

Në trend Lajme

Më shumë
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

Lajme
Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Siguri
U raportuan tri gropa në

U raportuan tri gropa në "Ndreqe.com", Komuna e Prishtinës intervenon në rregullimin e tyre

Prishtina
Kalo në kategori