Dështon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës për buxhetin 2026

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e thirrur për votimin e buxhetit të vitit 2026, ka dështuar të mbahet sot për shkak të mungesës së kuorumit.
Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk morën pjesë në seancë, duke e bërë të pamundur vazhdimin e saj dhe miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar për vitin e ardhshëm.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kritikoi opozitën për bllokimin e procesit, duke theksuar se qytetarët janë ata që pësojnë nga mosmiratimi i projekteve dhe planifikimeve buxhetore.
“Po e shihni që opzita vazhdon të sabotojë proceset për zhvillimin e kryeqytetit, vazhdon me qenë bllokuese, andaj ftoj qytetarët që më 12 tetor të reflektojnë , t’ua tregojnë vendin secili asamblistë që e ka sabotuar dhe vazhdon ta sabotojë këtë proces”, tha Rama, raporton Telegrafi.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar më herët se buxheti është sjellë në Kuvend pa konsultime dhe pa transparencë, duke e konsideruar këtë proces si të njëanshëm.
Fati i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026 mbetet ende i paqartë, ndërsa pritet që të thirret një seancë tjetër në ditët në vijim. /Telegrafi/

















































