LAJMI I FUNDIT:

Deri tani 200 personave i është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës

Deri tani 200 personave i është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës

Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës në Kosovë deri më tani ka pranuar gjithsej 911 aplikacione dhe ka marrë vendim për 323 raste, prej të cilave 200 personave i është njohur statusi viktimë e dhunës seksuale të luftës, ndërsa 123 personave i është refuzuar ky status.

Në një komunikatë për media thuhet se janë pranuar 100 kërkesa për rishqyrtim, gjysma e të cilave janë rishqyrtuar dhe është vendosur për to. Ndërsa, mbi 50 aplikacione të tjera janë në shqyrtim e sipër.


Po ashtu në komunikatë thuhet se Komisioni Qeveritar ka shprehur shqetësimin rreth informacioneve jo zyrtare të cilat janë duke u plasuar në media mbi punën e këtij Komisioni.

“Komisioni Qeveritar mbetet i përkushtuar deri në fund në vlerësimin e ligjshëm dhe të drejtë të të gjithave rasteve, duke respektuar dinjitetin, personalitetin, dhimbjen dhe vuajtjet e të gjithë personave të cilët kanë përjetuar këtë krim mizor të luftës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar shënon një vjetorin e punës. /Telegrafi/