Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara për pranimin e materialeve të prodhuara nga institucionet shtetërore të Serbisë si prova në rastet gjyqësore që po zhvillohen kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Në një deklaratë publike, Gashi e cilëson këtë praktikë si shkelje të rëndë të të drejtës për një proces të drejtë dhe të paanshëm.


“Marrja dhe përdorimi i materialeve të prodhuara nga institucionet represive të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë si prova në Dhomat e Specializuara, përbën shkelje të rëndë të të drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka shkruar ai.

Ai i ka quajtur këto materiale të fabrikuara nga një regjim kriminal dhe gjenocidal, që sipas tij, nuk mund të përdoret si bazë për drejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Të përdoren këto dokumente si “prova” në gjykata kundër qytetarëve të Kosovës është jo vetëm kundër drejtësisë, por edhe kundër çdo parimi themelor të shtetit ligjor dhe të së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar Gashi.

Duke përmendur se Kosova ka pasur institucione ndërkombëtare që kanë hetuar krimet e luftës si ICTY, UNMIK dhe EULEX, ai kërkon që Kuvendi i Kosovës të marrë masa konkrete për të ndalur këtë praktikë.

Propozimet e Gashit për Kuvendin:

Të miratohet një ligj i posaçëm që ndalon përdorimin e materialeve nga institucionet represive serbe si prova.

Të amandamentohet Ligji për Dhomat e Specializuara dhe, nëse është e nevojshme, edhe Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale.

“Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, jo për drejtësi të manipuluar dhe të eksportuar nga Beogradi”, përfundon reagimin e tij Arben Gashi.