LAJMI I FUNDIT:

Dënohet me 22 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e të miturit në Prishtinë

Dënohet me 22 vjet burgim i akuzuari për vrasjen e të miturit në Prishtinë

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarve E.I, E.M, P.P dhe L.B të akuzuar sipas Aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

I akuzuari E.I është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 22  vjet për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim ndërsa të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit për shkak të lartësisë së dënimit.


I akuzuari E.M është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh për veprën penale Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale. Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

Gjykata njofton se edhe i akuzuari P.P është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre vjetësh për “Dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”.  Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim si dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1,000 euro.

I akuzuari L.B është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy vjet e gjashtë muaj për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale”. Në dënimin me burgim i llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim.

I akuzuari E.I është akuzuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë sepse më datë 12 mars 2020 e kishte privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin L.B dhe me atë rast me dashje kishte vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se i akuzuari E.I obligohet që të paguajë në emër të paushallit gjyqësorë shumën prej 200 euro, ndërsa të akuzuarit E.M, P.P dhe L.B për paushallin gjyqësorë do të paguajnë shumën nga 100 euro secili veç e veç, të gjitha në afatin prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu të akuzuarit E.I, E.M, P.P dhe L.B për fondin e kompensimit të viktimave të krimit do të paguajnë secili veç e veç shumën prej 50 euro.

Pala e dëmtuar udhëzohet në kontestin e rregullt juridiko civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Kundër këtij aktgjykimi palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditëve, në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/