LAJMI I FUNDIT:

Dënohet me 18 vite burgim i akuzuari për vrasjen e babait dhe vëllait në veri të Mitrovicës

Dënohet me 18 vite burgim i akuzuari për vrasjen e babait dhe vëllait në veri të Mitrovicës

I akuzuari për vrasje të rëndë të babait dhe vëllait të tij, M.B., është dënuar me 18 vite burgim nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, pasi u konstatua se veprën e ka kryer në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore.

Ndaj të akuzuarit M.B., gjykata ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, me ndalim në institucionin e kujdesit shëndetësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Aktgjykimi është shpallur të hënën nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Hajraj.

Gjyqtari Hajraj njoftoi se gjatë shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues ka ardhur në përfundim se i akuzuari B., veprën penale e ka kryer në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore.

Ndërsa, i akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale në shumë prej 550 euro, paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro, kurse në emër të fondit të kompensimit të viktimave shumën prej 50 euro.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil, për ushtrimin e kërkesës pasurore juridike.

Tutje, sipas aktgjykimit janë konfiskuar dy thika të përdorura për kryerjen e veprës penale, ndërsa tre telefona të sekuestruar në procedurë paraprake janë kthyer.

Ndryshe, në seancën e datës 29 mars të këtij viti, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me propozimin e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, avokatit Miodrag Brkljaq, është përjashtuar publiku nga shqyrtimi gjyqësor, në rastin ku M.B po akuzohet për vrasjen e babait M.B dhe vëllait të tij U.B, në maj të vitit 2022.

Në seancën e 21 shkurtit 2023, ekspertja e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, doktoresha Valbona Blakaj-Ramadani, ka konstatuar se i akuzuari në kohën e kryerjes së veprës penale kishte aftësi të zvogëluar mendore, duke konstatuar se i njëjti vuante nga çrregullimi depresiv rekurent.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 24 tetor 2022 ka ngritur aktakuzë kundër M.B, me arsyetimin se më 27 maj 2022, në orët e hershme të mëngjesit dhe atë brenda orëve 05:00 – 06:00, në Mitrovicë, në rrugën “Kral Petri”, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta anëtarët e familjes së tij, babain e tij M.B dhe vëllain U.B.

Sipas aktakuzës, si rezultat i mosmarrëveshjeve familjare me prindin e tij M.B, i akuzuari natën kritike shfrytëzon situatën derisa të njëjtit ishin në gjumë, paraprakisht shkon në dhomën e të ndjerit U., ku me thikë të kuzhinës të gjatësisë 33.5 cm e godet në gjoks dhe atë në zonën e zemrës, i cili ishte në gjumë dhe i cili nga goditja vdekjeprurëse nuk ka mundur të ofrojë rezistencë, ndërkohë që thikën ia lë të ngulitur në gjoks.

Pastaj, në aktakuzë thuhet se i pandehuri del nga dhoma e të ndjerit U. ku pastaj i njëjti, i pajisur me thikë tjetër të kuzhinës e pret për një kohë babain e tij M. që të zgjohet nga gjumi për të shkuar në banjo dhe pasi që i njëjti zgjohet nga gjumi dhe drejtohet për në banjo i pandehuri e godet me thikë në abdomen, në këtë rast i dëmtuari M., manifeston rezistencë dhe arrin që ta rrëzojë të pandehurin në dysheme dhe t’ia marrë thikën, ku pas këtij momenti fillon të thërras djalin e tij U., ku hyn në dhomën e të ndjerit U. dhe e sheh të vdekur.

Tutje, sipas aktakuzës tani i ndjeri M. fillon të bërtas duke kërkuar ndihmë ashtu i lënduar me dy thika të kuzhinës dhe disi troket në derën e fqinjit të tij Drazho Dragoljub, ku pastaj Dragoljubi thërret ndihmën e shpejtë dhe i dëmtuari dërgohet në spital, por i njëjti edhe përkundër përpjekjeve për reanimim ndërron jetë në spital dhe atë si rezultat i gjakderdhjes së brendshme masive në regjionin e barkut, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e përparmë të barkut, nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Ndërkohë, tani i ndjeri U.B vdes si rezultat i gjakderdhjes së brendshme në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagës shpuese-prerëse në regjionin e kraharorit, si pasojë e plagëve shpuese – prerëse në regjionin e aortës torakale nga veprimi i mjetit të fortë, të mprehtë dhe me maje (thikës).

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, nënpar.1.3, 1.4 dhe 1.11 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Presidentja sllovene tregon nëse EUROPOL po heton prejardhjen e armëve të Milan Radoiçiqit që u gjetën në Banjskë

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Kalo në kategori