LAJMI I FUNDIT:

Demush Avdimetaj, me ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Demush Avdimetaj, me ekspozitë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Më 19 prill 2018, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Simbiozë e Artit Klasik dhe Modern” e piktorit Demush Avdimetaj.

Kjo ekspozitë përmban tridhjetë vepra pamore – vizatime dhe piktura të realizuara në teknikat akrilik në pëlhurë, akrilik në letër, teknikë e kombinuar etj.


“Demush Avdimetaj dëshmon prirjen e tij për dy lëmi të artit pamor, vizatimin që është bazë dhe pikturën. Peizazhet lirike merren nga natyra, por transponohen varësisht nga emocionet, disponimet dhe përjetimet estetike, duke krijuar imazhe vizuale mbresëlënëse, asociative dhe refleksive”, thuhet në kumtesë të Galerisë.

Demush Avdimetaj u lind më 1949 në Strellc të Deçanit. Studimet e larta i ka mbaruar në Kosovë, në Fakultetin e Arteve, drejtimin e Pikturës. Deri tani ka realizuar mbi 20 ekspozita personale. Karriera e tij artistike është përcjell edhe me çmime e mirënjohje të ndryshme, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Ky projekt drejtohet nga Dhurata Ramosaj-Shala, koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ndërkaq kurator është z. Nebih Muriqi. /Telegrafi/