Përvjetori i një historie

Edhe në këtë vit, përvjetori i demonstratave kryengritëse të 1981'ës shkoi i zbehtë zyrtarisht sikundër po zbehen zyrtarisht të gjitha përvjetorët kombëtare.


Qeveria e nënshtruar e Kosovës dalëngadalë po i zhgradon përvjetorët kombëtarë duke i dhënë edhe një nuancë më tepër ngjyrave politike jo-shqiptare të Kosovës. Për këtë kastë të kontrolluar nga ndërkombëtarët më e pranueshme po duket kremtimi i përvjetorëve që s'ka kurrfarë domethënie ose festave religjioze sesa përvjetorëve kombëtarë të çfarëdo ngjarjeje të përmasave kombëtare.

Qeveria në fjalë ose çfarëdo qeverie tjetër në këso kondita politike po e zbaton një agjendë të huaj në Kosovë e cila ka prirje të multietnictetit dhe fshirjes/harresës së qëllimshme të së kaluarës sonë. Edhe sikur Qeveria të pranonte solemnisht kremtimin e përvjetorit të demonstratave të 81's prapëseprapë kjo do të ishte e pamjaftueshme dhe e sipërfaqshme sepse është i kotë kremtimi nëse politikisht nuk e mbështet frymën e atyre demonstratave dhe bartësve të tyre.

Qeveria në fjalë sikur çdo qeveri tjetër nën patronatin e të huajve është e interesuar që ta shkërmoqë mbamendjen historike të ngjarjeve të së djeshmes. Duke e shkulur dhe zbehur nga memoria kolektive, ata synojnë të krijojnë një Kosovë pa histori, në të cilën kanë mundësi të bëjnë turli makinacioni të turpshëm në të cilin e zbatojnë planin ndërkombëtar për Kosovën: krijimin e një Njeriu të ri, robot, të pandjenja e të pakaluar dhe pa të ardhme, në të njëjtën kohë.

Demonstratat e 81'ës qenë një uragan i vërtetë kryengritës, ku rinia heroike e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi theu përfundimisht mitin blofues të 'bashkim-vëllazërimit' prapa të cilit fshihej kolonizimi serbomadh i hapësirave shqiptare. Këto demonstrata e ngritën dhe avancuan çështjen e shqiptarëve e cila deri në atë kohë ishte varrosur dalëngadalë prej klikës shqipfolëse projugosllave. Falë ndihmës së gjithanshme të Shqipërisë dhe sistemit të saj shtetëror u krijua kudo nëpër Evropë një disponim pro-shqiptar i cili për herë të parë e vuri Evropën në pikëpyetje për 'parajsën jugosllave' prapa të cilës dergjeshin e vriteshin liritë e popujve, veçanërisht shqiptarëve si i i vetmi komb josllav në këtë burg të madh.

Suksesi i këtyre demonstratave qëndron në atë që ato u bënë një frymë e përgjithshme - një normë organizimi gjithëshqiptar e cila do t'i nxiste shqiptarët në përpjekjet e tyre të mëvonshme për çlirim dhe bashkim kombëtar. Sot, plot eksponentë të Qeverisë fshihen pas parullave mediatike ku derdhin lot krokodili për këto demonstrata duke e paraqitur vetën e tyre si apostuj të tyre.

Në anën tjetër janë po këta apostuj që bëhen pula para Ahtisaarit dhe instancave të tjera ndërkombëtare ku në agjendën e brendshme s'figuron askund rehabilitimi zyrtar madje memorializimi si festë kombëtare e këtyre ngjarjeve të paharrueshme. Edhe bartësit e saj, organizatorët e vërtetë të saj që e paguan me dhjetëra vjet në burgjet jugosllave sot janë njerëzit më të nëpërkëmbur e të harruar e asnjërit prej tyre s'i takon një ndihmesë e rregullt financiare. Kur themi, ndihmesë të rregullt financiare, nuk duhet nënkuptuar si rëndim të buxhetit të vobektë shtetëror por pikërisht lartësim i strukturave shtetërore, sepse të paktën, edhe në vendet e tjera ta zëmë në Kroaci ose Slloveni të burgosurve politikë iu jepet një rehabilitim politik dhe përkujdesje të rregullt në formë ndihme financiare (pensioni dhe lehtësirave të tjera).

Në fakt, ca kinse shoqata që kinse avokojnë të drejtat e ish të burgosurve politike janë shndërruar në avoketër të denjë të qeverisë të cilat e përligjin në mënyrë absurde neglizhimin e pafalshëm shtetëror ndaj këtyre shtresave shoqërore, që në momentet më kruciale e ngritën lart flamurin e organizimit dhe dinjitetit kombëtar.

Mirëpo, fryma e demonstratave të 81's nuk do të zhduket kurrën e kurrës me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të të huajve dhe qeverisë aktuale, sepse ajo i ka bërë ballë vendosmërisht shtetrrethimit jugosllav kur në ato ditë të përgjakshme pranvere Prishtina dhe qendrat e tjera u rrethuan nga më 60,000 forca policore e ushtarake. Ajo i ka bërë ballë edhe propagandës perfide titiste dhe hyzmeqarëve të tyre derisa ajo klikë u shkalafitë dhe ranë në pellgun e gjakut që kishin krijuar ata vetë.

Demonstratat e 81's janë gjaku që s'shkelet dhe s'falet kurrë!