Demi Moore, gjatë Festivalit të Filmit në Sun Valley, tregoi se si një veshje krejtësisht e zezë mund të ngrihet në një nivel më të lartë përmes lojës së materialeve dhe një detaji të zgjedhur me kujdes

Aktorja u fotografua muajin e kaluar me një kombinim elegant e praktik, tërësisht të zi, të përbërë nga një fund i shkurtër dhe i ngushtë prej lëkure, një triko e lirshme me jakë të lartë, këpucë elegante me majë të theksuar dhe një detaj që e plotësonte pamjen në mënyrë të përkryer.


Për ta rrumbullakuar këtë veshje, Demi Moore shtoi geta me motivin karakteristik të shtëpisë së modës Gucci, të cilat e “thyen” njëngjyrshmërinë falë strukturës së tyre delikate me dantellë, duke bërë që pamja të mos dukej në asnjë moment e mërzitshme.

Forca e kësaj paraqitjeje qëndron te loja e zgjuar e materialeve dhe pikërisht ky është çelësi për kombinimin e suksesshëm të veshjeve njëngjyrëshe. Nëse dëshironi të kombinoni nuanca të së njëjtës ngjyrë, përdorimi i shtresave me materiale të ndryshme duhet të jetë fokusi kryesor, transmeton Telegrafi.

Edhe pse një veshje e zezë me geta klasike dhe të thjeshta do të funksiononte pa asnjë dyshim, zgjedhja e saj për të bashkuar lëkurën, dantellën dhe trikon në një paraqitje të vetme e ngriti të gjithë pamjen në një nivel më të lartë.

Me këtë shembull, Demi dëshmoi se veshjet bazë cilësore janë themeli i çdo paraqitjeje të suksesshme, ndërsa detajet dhe aksesorët e menduar mirë janë çelësi i elegancës dhe stilit të qëndrueshëm. /Telegrafi/