LAJMI I FUNDIT:

Delawie: Kosova do të ketë më shumë ndërmarrje të reja

Delawie: Kosova do të ketë më shumë ndërmarrje të reja

Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive ka pranuar mbështetje prej 10 milionë euro nga organizata suedeze SIDA. Kjo marrëveshje e nënshkruar sot, është konsideruar mjaft profitabile për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, tha se ndjehet i lumtur që ambasada e Suedisë po mbështet Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në vlerë prej 10 milionë euro.


Ai tha se ky fond mundëson krijimin e tregjeve të reja, ndërsa theks të veçantë i dha çështjes së grave ndërmarrëse, për të cilat tha se të gjitha institucionet duhet të ndihmojnë fuqizimin e tyre në fushën e ndërmarrësisë.

“Të dhënat nëpër krejt botën na tregojnë se NMV-të janë gjeneratorët kryesor për vendet e punës. E mundësitë për punësim në Kosovë janë jetike për ekonominë dhe popullin e saj. Kjo është ajo që e bën fondin më të rëndësishme sepse mundëson huadhënien, shtyn përpara industritë dhe po kontribuon në zhvendosjen strukturore të ekonomisë konsumuese në atë prodhuese. Sa më shumë kredi ka në dispozicion aq më shumë ka mundësi për ata që tradicionalisht nuk marrin shërbime të mjaftueshme. Kjo zakonisht ndodhë për gratë. Sot, me 10 milionë euro nga SIDA, 7 milionë nga KFW do të kemi shumë më shumë ndërmarrje të reja”, tha ai.

Andres Wollter nga ambasada suedeze tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje është vazhdimësi e mbështetjes së mëparshme që Suedia ka dhënë dhe jep për Kosovën, së bashku me USAID, KFW dhe donatorë të tjerë, porse sipas tij, Kosova ka qenë me rëndësi kyçe në sigurimin e fondeve nga resurset e veta për fondet.

Sistemin ekonomik të Kosovës, Wollter e quajti të shëndosh, mirëpo theksoi se ka një hendek të financimit të NMV-ve, të cilin synojnë ta zvogëlojnë me rritjen e investimeve në këto ndërmarrje.

E mbështetja në shumë prej 10 milionë euro për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, sipas tij do të ndihmojë në zhbllokimin e vlerave të likuidetit shtesë në sistemin bankar.

“Sistemi bankar në Kosovë, është i shëndoshë, profitabil dhe shumë likuid. Mirëpo kemi një hendek të madh financimi për kompanitë, përkatësisht NMV-të. Prandaj edhe FKGK-ja është shumë e rëndësishme për më shumë biznes që është i domosdoshëm për ekonomitë në tranzicion siç është Kosova. 9’59” – 10’16” Suedia do të mbështesë fondin me 10 milionë euro, në formën e rigarancioneve që do të përfshijnë subvencionet që do të zgjerojnë kapacitetet për të lëshuar garancionet dhe kështu për të zhbllokuar vlerat e konsiderueshme të likuiditetit shtesë në sistemin bankar”, tha ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani tha se Fondi Kosovar për Grananci është instrument i rëndësishëm për nxitjen e investimeve dhe të punësimit.
“Politikat e MTI-së, janë të përqendruara në krijimin e kushteve stimuluese për nxitjen dhe zhvillimin e sektorit privat, e veçanërisht për NMV-të. Në politikat dhe strategjitë e zhvillimit, dominon tendenca për zhvillimin e sektorit prodhues në mënyrë që Kosova të shndërrohet nga një shoqëri konkurruese në një shoqëri prodhuese. Fondi Kosovar për Garanci është një shtyllë shumë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, u shpreh Hasani.

Ndërsa, drejtori menaxhues i FKGK-së, Besnik Berisha, shprehu mirënjohjen e tij për gjithë ata që e ndihmuan realizimin e kësaj marrëveshje, e cila sipas tij, ndikon në fuqizimin e këtij institucioni. Mes tjerash, ai theksoi se investimi në ndërmarrje të vogla dhe të mesme është krrucial për iniciativat e FKGK-së dhe zhvillimit ekonomik.
“Me këtë rast ne veçojmë dy elemente shumë të rëndësishme në këtë marrëveshje, kjo do të thotë besim ndaj ne dhe besim në sektorin financiar për shërbimet e garancioneve të kredive të ofruara nga ne. Ndërsa nga aspekti operacional, shpërndarje e rrezikut të kredisë, dhe më shumë hapësirë për garantimin e bazuar në kapitalin ekzistues. Në mënyrë indirekte, besojmë se kjo do të shpejtojë rritjen e qasjes në financa të NMV-ve, rrjedhimisht më shumë investime në sektorin privat, më shumë aftësi konkurruese për kompanitë tona, përmirësim të bilancit tregtar, më shumë punësim dhe në përgjithësi më shumë zhvillim ekonomik”, u shpreh ai.

Të arriturat e deritanishme, Berisha tha se i bëjnë që të ndjehen edhe më të obliguar për të arritur rezultate në të ardhmen.

Ndërsa menaxheri kryesor i projektit, Thomas Reker, të cilët kanë nënshkruar një kontratë në vlerë prej 7 milionë e 450 mijë euro nga tatimpaguesit gjermanë, tha se është i lumtur që Kosova po zhvillohet ekonomikisht, pasi që ky është edhe synimi kryesor.

Sipas tij, nga shuma e kësaj kontrate të nënshkruar, 5 milionë e 450 mije euro do të shkojnë për “Dritaren e bujqësisë”. /Telegrafi/