Del Piero “shkund” Juventusin: Ekipi s’është i bashkuar, as me trajner tjetër nuk e fitoni Serie A

Pas humbjes së tretë radhazi në Serie A, kundër Como, Real Madridit dhe Lazios, legjenda e Juventusit Alessandro Del Piero ka analizuar situatën e vështirë të “Zonjës së Vjetër” në studion e ‘Sky Sport Italia”.
Sipas italianit, problemi te Juventusi është shumë më i madh se trajneri Igor Tudor, pasi as edhe ndonjë trajner tjetër nuk do t’ia sillte titullin kampion.
“Tudor? Nuk mendoj se fjala ‘konfuzion’ është më e përshtatshmja. E njoh mirë si lojtar dhe si njeri – nuk është çështje konfuzioni. Juventus nuk ka problem trajneri, por diçka më komplekse: mënyrën si skuadra është bashkuar në fillim të sezonit dhe rezultatet që kanë ardhur më pas”.
“Sonte skuadra ishte gjallë, nuk e meritonte humbjen, ndoshta barazimi do të ishte më i drejtë. Edhe kundër Real Madridit bënë një paraqitje të mirë, problemi ishte në ndeshjen me Como”.

Del Piero shtoi se problemi i vërtetë nuk qëndron te Tudor, por te mungesa e stabilitetit në formacion dhe në lojtarët kryesorë.
“Nuk besoj se kjo skuadër do ta fitonte kampionatin edhe me një trajner tjetër. Ende nuk kanë një 11-she fikse – jo sepse Tudor nuk e dëshiron, por sepse përtej disa individëve me cilësi, të tjerët nuk kanë arritur të japin vazhdimësi. Nëse sheh skuadrat më të forta në Itali dhe Evropë, pothuajse të gjitha kanë një formacion të qëndrueshëm.”
Ish-kapiteni bardhezi mbrojti gjithashtu grupin aktual të lojtarëve, duke theksuar se cilësia ekziston, por mungon konstanta në lojë dhe efikasiteti përpara portës./Telegrafi/














































