Alessandro Del Piero ka dhënë analizën e tij për barazimin 0–0 midis Juventusit dhe Milanit, duke theksuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative në paraqitjen e dy skuadrave.

Për ish-kapitenin e Juventusit, pika e fituar nga bardhezinjtë është pozitive, por ngre shumë pyetje në lidhje me efikasitetin e sulmit:


“Juventusi fitoi një pikë, por Milani humbi një mundësi. Ata patën një penallti dhe të paktën dy raste të mëdha. Të fitosh ndeshje si kjo dërgon një mesazh të rëndësishëm, si për veten tënde ashtu edhe për kundërshtarët e tu", tha Del Piero.

Del Piero foli më pas për vështirësitë e Juventusit në fazën sulmuese, duke vënë në dukje mungesën e një lojtari që bën diferencën përpara.

“Për momentin, nuk ka një lojtar që është vërtet i aftë të bëjë diferencën në sulm. Ata që kanë qenë titullarë shpesh kanë pasur vështirësi, ndërsa Vlahovic ka performuar më mirë duke hyrë nga stoli”.

“Me kaq shumë barazime radhazi mund të thuash çfarë të duash, sepse disa ndeshje kanë qenë kaotike, madje edhe fitorja ndaj Interit. Juventusi po kërkon ekuilibër, por për momentin i mungon një formacion titullar i fiksuar dhe, mbi të gjitha, një identitet i qartë sulmues”, tha legjenda italiane.

Në lidhje me të ardhmen e ekipit, Del Piero sugjeroi një rrugë për përmirësim:

“Juventusi mund të përmirësohet nëse luan me më shumë intensitet dhe vertikalitet. Conceicao dhe Yildiz, për shembull, performojnë më mirë kur kanë hapësirë përpara tyre. Kur loja bëhet shumë e ngadaltë, ekipi ka vështirësi, edhe sepse Locatelli është i vetmi që mund të diktojë ritmin. Intensiteti dhe shpejtësia duhet të jenë themeli, siç dëshiron Tudor, por me kaq shumë ndeshje dhe rotacione është e vështirë t’i ruash ato",

“Milani ka lojtarë me personalitet të shkëlqyer, ndërsa Juventusi është ende në kërkim të identitetit të plotë sulmues", përfundoi Del Piero. /Telegrafi/

telegrafi sport app