Del në shitje Lamborghini Countach i parë i prodhuar në vitin 1982

Pas qëndrimit në garazh për më shumë se dy dekada, Lamborghini Countach LP500 S i parë i prodhuar ka dal në publik.
Pllaka e emrit LP500 S shënon versionin e tretë të supermakinës së famshme Countach, e cila u prodhua në vitin 1982.
Dokumentacioni zbulon se ky ekzemplar i veçantë debutoi në Motor Show në Gjenevë të vitit 1982 dhe thuhet se është përdorur gjithashtu në broshurat e Lamborghini që promovojnë LP500 S si të ri në kohën kur ajo ishte prodhuar, raporton Drive, transmeton Telegrafi.
Lista pretendon se ky është një nga pesë ekzemplarët e parë LP500S të prodhuar nga modeli i përditësuar me vetëm 321 njësi të prodhuara, së bashku me një nga pesë makinat e hershme të pajisura me logon "5L", e vendosur në pjesën e pasme.
Supermakina u ble për herë të parë në Itali përpara se të dërgohej në Gjermani. Më pas zbarkoi në SHBA, ku iu shit Carlos Cavazo – kitarist i grupit të heavy metal Quiet Riot. Dokumentet zbulojnë se makina më pas u ruajt në garazhin e Franco’s European Sports Cars dhe mbeti atje që nga viti 2001.
Ky Countach nuk është plotësisht origjinal, pasi kishte modifikime në motorin 4.8-litërsh V12 të cilat u bënë në vitin 1985. Kjo bëri që karburatorët origjinal të Weber të zëvendësohen për një sistem injektimi karburanti, për të siguruar që kërkesat e Kalifornisë për emetimet të ishin përmbushur.
Lista thotë se në odometrin e superveturës ka rreth 65,000 kilometra të kaluara, por gjendja aktuale e drejtimit të automjetit nuk është përshkruar.
Lamborghini LP500 S unik është i listuar nga DriverSource me bazë në Hjuston, Teksas dhe ka një çmim prej 695,000 dollarësh. /Telegrafi/




















































