Koci thotë se çdo iPhone, rrobë e shtrenjtë dhe bizhuteri duhet të deklarohet në doganë

Avokati Arianit Koci, përmes një statusi të publikuar në rrjetet sociale, ka folur për obligimin e qytetarëve për të deklaruar mallrat gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas tij, çdo telefon i ri duhet të raportohet në doganë, përndryshe rrezikon të ndalohet nga autoritetet doganore, transmeton Telegrafi.
“A e dini që thuajse çdo iPhone apo telefon mesatar me të cilin hyni në Kosovë – duhet të deklarohet në doganë? Nëse nuk e keni faturën, ose e keni blerë jashtë Kosovës – e paguani doganën. Po të mos e raportoni, dhe nëse dogana ju ndalon — automatikisht hyni në procedurë për kundërvatje doganore. Në praktikë, kjo nënkupton që telefoni konfiskohet, ndërsa për ta rikthyer duhet të paguani vlerën e plotë që ia cakton dogana, bashkë me taksat përkatëse”, ka deklaruar Koci.
Mes tjerash, ai ka shkruar se kjo nuk ndalet vetëm te telefonat.
Ai ka shtuar se, rregulli zbatohet edhe për teshat e shtrenjta që mbani në trup, për çantën, orën apo çdo send tjetër me vlerë.
“Prandaj, mendoni pak: kujt prej jush nuk i ka ndodhur të ketë me vete një iPhone apo Samsung të ri, një laptop, një setër të mirë dhe një unazë të arit kur ka hyrë në Kosovë? A e keni raportuar çdo herë në doganë? Sipas Doganës, edhe zinxhiri që ta ka falë nëna, unaza e martesës dhe çdo mall tjetër duhet të deklarohen – nëse kalojnë vlerën prej 450 € në aeroport ose 300 € në kufi tokësor. Kjo vlerë, natyrisht, duhet konfirmohet në secilën pikë kufitare”, theksoi Koci.
Avokati shtoi tutje se “ky rregull nuk kufizohet vetëm për rezidentët kosovarë. Ai vlen njësoj edhe për ata që jetojnë jashtë vendit”.
“Sidoqoftë, për mua brenga më e madhe mbetet diskrecioni i doganierit – një e drejtë e paraparë me ligj – për të vendosur kë do të ndalojë në kufi”./Telegrafi/



















































