LAJMI I FUNDIT:

Deklaratë e stërvonuar dhe strategji naive për “Veriun”

Të enjten e kaluar Kuvendi i Kosovës mbajti debatin për situatën në viset veriore të Kosovës. Që ishte një debat jo vetëm i zbehtë (në vend të nxjerrjes së një Rezolute ajo përfundoi me një deklaratë sa për të thënë) por edhe shumë i vonuar.

Shumë i vonuar, sepse ashtu siç ua rikujtova kolegëve të mi, unë disa herë pata tentuar që të inicioja një gjë të tillë në qershor të vitit 2008. Pra, atëherë kur Qeveria serbe deklaroi “se në të gjitha komunat kosovare ku u mbajtën zgjedhjet serbe të 11 majit do të krijohen strukturat udhëheqëse – Kuvendet Komunale dhe Këshillat Ekzekutiv”.


Atëbotë, disa (të pakët) nga kolegët e mi u solidarizuan dhe e përkrahën atë iniciativë, të cilët edhe i përmenda gjatë seancës, por shumica nga kolegët e mi nuk e përkrahnin, sepse “nuk donin t’i prishnin punët me zyrat ndërkombëtare”, siç arsyetonin. Madje, disa që fillimisht gabuan dhe e nënshkruan mocionin, më vonë i ranë pishman nënshkrimit të tyre (sepse ashtu këshilloheshin nga “zyrat ndërkombëtare”) dhe e tërhiqnin pak para se “kryesia e Kuvendit” (pra “Dhoma e lordëve”) të ishte e detyruar ta fuste në rend dite.

Dhe pikërisht, këta që ose i tërhoqën nënshkrimet e tyre ose nuk donin të nënshkruanin mocionin (u mor vesh sepse ashtu ishin të këshilluar nga “zyrat ndërkombëtare”) në seancën e së enjtes ishin më të zëshmit. Ishte siklet i madh t’i dëgjoje sesi shitnin patriotizëm. Po ja që kjo është politika kosovare: rrej, shit demagogji, mashtro dhe vjedh fare pa u skuqur. Dhe sa më shumë i bënë të gjitha këto të zeza aq ma PATRIOT i madh je!

Mocionet e dështuara

Me 4 qershor të vitit 2008, (në bazë të Pikës 23.2 të Rregullores së Punës së Kuvendit) kërkova që për seancën e radhës të Kuvendit, të futet në rend dite një pikë për të diskutuar tendencën e Qeverisë së Serbisë për “krijimin e strukturave të dala nga zgjedhjet ilegale të 11 majit”. Me arsyetimin se “deri më tani atë që e kanë deklaruar qeveritarët serbë në lidhje me Kosovën edhe e kanë realizuar”, (përkundër qeveritarëve kosovarë që një gjë e deklarojnë e krejt tjetër veprojnë).

Dhe ashtu siç thash nuk pata sukses sepse “patriotët” ose nuk nënshkruanin ose në momentin e fundit e tërhiqnin nënshkrimin.
Pas dy jave, me 19 qershor, përsëri tentova, sepse tashmë ishin krijuar strukturat ilegale (paralele) në bazë të zgjedhjeve ilegale 11 majit, të cilat siç dihet mirëfilli i organizuan po ashtu strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë. Dhe për këtë mocion e përpilova edhe kërkesën për Kuvendin, në pesë pika:

1. T’i shpallë ilegale dhe t’i anulojë çfarëdo zgjedhje brenda territorit të Kosovës që nuk janë organizuar nga institucionet e vendit dhe që janë jashtë ligjit dhe sistemit politik të Kosovës. Rrjedhimisht t’i anulojë edhe rezultatet e zgjedhjeve të Serbisë dhe strukturat politike që dalin nga to. (null and void)

2. Ta shpallë të jashtëligjshëm dhe të dënueshëm aktivitetin politik të secilit individ apo secilës organizatë politike që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës (pika 2.2 e Kushtetutës).

3. T’ua thotë haptas dhe në mënyrë të prerë misioneve ndërkombëtare të pranishme në Kosovë që mos ta pranojnë bashkëpunimin dhe negocimin me strukturat (eventuale) paralele. serbe;

4. Ta pezulloj deri në një në kohë të pacaktuar zbatimin e decentralizimit (në rastin më të mirë Qeveria ta përdorë si kushtëzim decentralizimin, të paktën si të tillë;

5. Prioritet qeveritar dhe institucional i Kosovës duhet të jetë integrimi i veriut e jo decentralizmi i pjesës tjetër të Kosovës.

Arsyeja pse pata kërkuar që decentralizimi të stopohet dhe ajo të paktën të përdoret si kushtëzim, ishte se që nga pas lufta qëllimi i Serbisë ishte (është) që minimumi (u mor vesh mundësisht e tëra të jetë nën Serbi) komunat Mitrovicë Veriore, Zveqan, Leposaviq dhe Zubin Potok t’i shkëputen Kosovës, kurse vendbanimet tjera si Graqanicë etj, ku ka serbë të udhëhiqen në mënyrë të pavarur nga serbët lokal dmth një lloj republike e pavarur nga Prishtina dhe ngushtë e lidhur me Serbinë. Andaj Dokumenti i Ahtisarit mund të jetë edhe i pranuar në vendbanimet me serbë në brendi të Kosovë. Prandaj dhe pati dalje të disa serbëve në zgjedhjet e fundit lokale, Por jo edhe në komunat veriore të Kosovës.

Kjo shihet ashiqare! Nuk e shohin vetëm disa “patriotë”të inkriminuar në krime ekonomike, të cilët janë në mision për tu pasuruar sa më shumë ata vet.

Strategji e stërvonuar dhe utopike

Duke e lexuar strategjinë njeriu normal nuk mund me ndal vetën së qeshuri. Të bënë ta pyes veten ‘“a thua ku janë këta ‘autorë gjenial’ duke jetuar”’!? Si more mund të pritet bashkëpunim nga Beogradi për të impelementuar këtë strategji?! Të pritet nga Beogradi bashkëpunimin në përparimin e integrimit të komunitetit të serbëve të Kosovës në veri përbrenda shoqërisë kosovare?! Shi ti! Mbase nuk po na marrin seriozisht ata neve dhe prandaj na shesin këso broçkulla!

Si mund të kërkohet bashkëpunim nga Beogradi i cili bënë gjithçka për ta zhbërë shtetin e Kosovës. Kur, në veri (e sidomos këto 4 – 5 muajt e fundit) Serbia e ka konsoliduar me sukses kontrollin në të gjitha sektorët e jetës:

1. Kosova nuk ofron rrymë elektrike në veri por "EPS" (pra Elektropriveda Srbije).
2. As institucionet shtetërore kosovare e as Eulex nuk dinë se çafër hyn e del në doganat e saj. Çfarë malli hynë? Çfarë tregtie bëhet me drogë, me armë dhe kush e fut? Pra çfarë kontrabande bëhet atje?
3. As institucionet e Kosovës e as Eulex nuk e kontrollojnë hyrje daljen e pikave kufitare. Autoritetet shtetërore kosovare por as Eulex nuk e dinë se cilët kriminel, cilët vrasës hyjnë e dalin lirshëm në territorin e Kosovës, apo çfarë tregtie me njerëz – me mish të bardhë (prostitucion) bëhet?
4. Autoritet e Kosovës nuk e kontrollojnë sistemin e gjyqësorit dhe burgjeve në veri.
5. Zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës nuk ekziston. Policët serb nuk e respektojnë dhe nuk i raportojnë Prishtinës.
6. Në tri komunat veriore u mbajtën zgjedhjet lokale, dhe askush nuk na tha neve se sa ishin të vlefshme apo të pa vlefshme, dhe kush po qeverisë me ta.

Andaj duke i pasur këto parasysh, por edhe tërë situatën apo situatën në përgjithësi në Veri dhe në pjesët tjera të Kosovës që nga vitin 1999, unë nuk e kam të qartë sesi dikush mund të kërkojë dhe presë bashkëpunim nga Beogradi për ta integruar Kosovën!
Si mund Piter Feith publikisht disa here të deklarojë (me krekosje) “ne presim bashkëpunimin e Beogradit në përparimin e integrimit të komunitetit të serbëve të Kosovës në veri përbrenda shoqërisë kosovare”. Në çka po i përngjajmë ne?!

Të mendosh se Beogradi do të kontribuojë në këtë strategji është naivitet, kurse të besosh dhe pritesh një gjë të tillë është marrëzi, është çmenduri. Kur dihet se MUP që i kontrollon komunat e veriut dhe gjithmonë i ka kërcënuar me jetë të gjithë ata që kanë tentuar të bëjnë sadopak për normalizimin e jetës atje. Siç është tashti rasti më i freskët këto ditët e fundit ku MUP i kërcënon me jetë ekipet përgatitore për Mitrovicën e Veriut.

Prandaj, unë pyes, për çfarë strategjie Thaçi dhe Feith flasin? Strategji e cila nuk i adreson gjërat realisht por me naivitet dhe utopi. Aq më tepër, kur dihet mirëfilli që edhe udhëheqësit e Serbisë si Presidenti Tadiq dhe i tërë kabineti i tij, së bashku me opozitën (me disa përjashtime) nuk e pranojnë asnjë iniciativë që për synim kanë forcimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës, e mos të flasim për Veriun.

Për fund të citoj zëdhënësin e qeverisë së Serbisë z Miliovoje Mihajloviq: ”Gjithçka që Qeveria e Prishtinës do të ndërmarrë për forcimin e Pavarësisë, Beogradi do të mundohet ta pengojë”, për të vazhduar me “Pushteti në Prishtinë dëshiron një Kosovë të Pavarur dhe Beogradi nuk dëshiron ta lejojë një gjë të tillë”.

Dhe krejt për fund, do ta citojë të ashtuquajturin ministrin serb për Kosovën, z. Goran Bogdanoviq “Strategjia e përgatitur nga Piter Feith dhe institucionet e përkohshme të Kosovës është e papranueshme jo vetëm për veriun e Kosovës por edhe për tërë Kosovën, sepse nuk mund të insistohet në zhbërjen e institucioneve të Serbisë”.

Atëherë pyes “a me të vërtet pritni bashkëpunim nga Serbia për ta implementuar këtë strategji”?!

Fjalimin e përgatitur për debat në Kuvend të cilin nuk pata mundësi ta lexojë të tërin.

(Autori është deputet i pavarur)

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

Serbia
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Projekti më i mirë, Piramida e Tiranës fiton çmimin e madh për Evropën Juglindore

Lajme
Kalo në kategori