Deklarata e Merz për migrimin ndez protestë në mes të fjalimit të tij

Kancelari gjerman Friedrich Merz u përball me një protestë të papritur në një ceremoni çmimesh, kur dhjetëra pjesëmarrës dolën nga salla për shkak të vërejtjeve të tij mbi migracionin.
Ndërsa udhëheqësi gjerman filloi fjalimin e tij në ceremoninë vjetore të Çmimit Talisman të organizuar nga Deutschlandstiftung Integration, pjesëmarrës të shumtë - kryesisht të rinj dhe të reja - u ngritën në këmbë, i kthyen shpinën dhe dolën nga salla.
Pamjet e shpërndara gjerësisht në rrjete sociale treguan protestuesit duke u larguar në heshtje, ndërsa të ftuarit në rreshtin e parë shikonin të habitur.
Bëhet e ditur se Çmimi vjetor Talisman nderon migrantët me histori suksesi dhe njerëzit që promovojnë vlerat demokratike, përfshirjen sociale dhe përpjekjet për integrim.
Ndërsa protesta ishte një përgjigje ndaj vërejtjeve që Merz bëri muajin e kaluar në një aktivitet në Potsdam.
Atje, ai theksoi politikat e rrepta të migracionit të qeverisë së tij dhe rritjen e deportimeve të emigrantëve të paligjshëm, duke thënë se ato po korrigjonin dështimet e politikave të kaluara.
"Por sigurisht, ne ende e kemi këtë problem në peizazhin urban, dhe kjo është arsyeja pse ministri ynë i brendshëm po punon tani në plane për të mundësuar dhe kryer deportimet në një shkallë më të gjerë", kishte thënë Merz.
Fraza e kancelarit "problem në peizazhin urban" shkaktoi kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut dhe politikanët e opozitës, të cilët e akuzuan atë për përdorim të gjuhës raciste dhe diskriminuese. /Telegrafi/


















































