Degradimi institucional i rinisë
1.
Rinia, sot vlerësohet më të drejt për merita të shumta, sidomos për kontributin që ka pasur në dinamizmin e jetës politike në Kosovë: që nga viti 1968, 81, 89, 97 dhe luftës së fundit të UÇK –së, shpesh duke e cilësuar gabimisht: si e “ardhmja e Kosovës”, ose “krenaria kombëtare”, e shume epiteti të tjera. Kjo Qeveri ka dërguar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për: “Fuqizimin dhe pjesëmarrjen e rinisë, projektligj që është filluar të punohet që nga viti 2004, por i cili pati odisejadën e vet, edhe pse i kthyer mbrapsht nga parlamentarët e pozitës dhe opozitës. Por, ky projektligj nuk gjeti rrugën e duhur asnjëherë, dhe më të drejtë sepse: nuk plotëson asnjë nga konditat e një ligji te mirë për rininë, por me tepër ky (projekt)ligj po degradon edhe më shumë organizimin e lirë institucional të rinisë. Ekonomistët më eminentë, si vendorë dhe ndërkombëtarë na bënin me dije: “se duhet kushtuar rendësi te veçantë rinisë, sepse te ju, ajo përbën mbi 60% të popullatës”.
2.
Që nga paslufta në Kosovë filluan të ndërtohen politika qeverisëse dhe institucione, e në këtë rast u ndërtuan edhe ato institucione të cilat merren me problematikën e rinisë. Por çfarë insitutcionesh vërtetë u ndërtuan? Në këtë pyetje akoma nuk është ndalur kush të mendojë nga partitë politike, te cilat morën mandatin që të qeverisin Kosovën: se cili ka qenë efektiviteti i këtyre institucioneve në zgjidhjen e shumë problemeve që ka rinia sot, a i përgjigjen kohës dhe ndryshimeve të shpejta organizative sot në botë?
Sot kemi aq shumë institucione, që kanë për fokus rininë dhe problemet e saj, si; Departamentin e Rinisë në kuadër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, po kështu kemi shume programe në kuadër të shumë departamenteve në kuadër të Qeverisë së Kosovës, si: programi për përkrahjen e sportistëve të rinj në Departamentin e sportit, programi për shëndetin e të rinjve në Ministrinë e Shëndetësisë, Shkollimi në kuadër të Ministrisë së Arsimit, Trajnimi dhe Punësimi në kuadër të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, Edukimi Joformal në Departamentin e Kulturës, sektorët e ndryshëm ne kuadër te qeverive komunale, OJQ të ndryshme rinore, qendra rinore, etj, së fundi kulmi i vihet me projektligjin për fuqizim dhe pjesëmarrje të rinisë, me të cilin themelohen edhe shumë institucione tjera për rininë. Ka edhe disa të tjera që nuk dua t’i numëroj, por të cilat kanë për fokus të “ardhmen e Kosovës”, pra rininë e saj. Edhe një vend me burokraci kaq te llahtarshme nuk i gjendet bile edhe në vendet më komuniste të botës, që gjithçka është shtetërore. Kur e mendoj organizimin institucional sot në Kosovë, shpesh e kam ndërmend thënien për pronën se dikurshme shoqërore: “pasuri e gjithkujt pasuri e askujt”, kjo vlen edhe për rininë: “përkujdesje nga te gjithë, përkujdesje nga askush”.
3.
Po te shihen statistikat e të gjitha qeverive, se sa ato kanë ndarë buxhet për të “ardhmen e Kosovës”, pra rininë e saj, na del se çdo vit kemi nga 52 cent për koke të riu në vend. A mjafton kjo shumë që të kemi një rini aktive në jetën publike? A mjafton ky buxhet që të kemi një rini te edukuar mirë me standarde evropiane, ku pretendojmë që të aderojmë? Ky 52 cent euro, a krijon vende të reja pune në vend, që mos të kemi rrjedhje truri nga Kosova? Cili i ri, sot mund të përfitojë fonde nga qeveria për ide kreative, bursa për shkollim? Nuk guxoj as ta përmendi kërkimin shkencor, se kjo as që përmendet në politikat e këtyre qeverive. Pse aseti kryesor i vendit me të cilin jemi krenuar dhe krenohemi sot e gjithë ditën, pra rinia e Kosovës mashtrohet se është “prioritet” i kësaj dhe asaj qeverie?
4.
Kjo kategori shoqërore qe përbën asetin kryesor të këtij vendi, do të duhej t’i nënshtrohej një reforme të thellë, si nga organizimi institucional qeveritar e komunal, legjislativ dhe programor, sidomos në prioritete. Duke qenë njëri nga ata, që jam marrë një kohë të gjatë me ketë kategori, që është e tashmja dhe e ardhmja e këtij vendi, rekomandoj që: të krijohet agjencia qeveritare për koordinimin e politikave rinore, e cila do të hartonte politika për te gjitha institucionet dhe do të monitoronte zbatimin e këtyre politikave; të favorizohet rinia ligj sidomos në rastin e punësimit, psh. periudha provuese për një të ri në institucionet publike të jetë një vjet; të krijohet një fond për rininë (fondi i gjeneratave te reja) për përkrahjen e ideve kreative qe vijnë nga rinia, për kërkimin shkencor, me prioritet rininë; të stimulohet rritja e vendeve te reja punës për të rinjtë dhe të rritet buxheti i shtetit për të gjitha institucionet publike me 100% çdo vit, për aktivitete rinore. Këto rekomandime, janë vetëm disa nga masat urgjente qe do të duhej t’i ndërmerrte kjo qeveri, me qëllim të mos vazhdohet slogani i famshëm se: “Rinia është e ardhmja e këtij vendi”.
(Autori është ish-aktivist rinor)



































