LAJMI I FUNDIT:

Defektet e Sherlock Holmes-it

Në një intervistë dhënë Le Figaro-s në pyetjen se sipas jush, kush është Sherlock Holmes, regjisori britanik Guy Rithcie ishte përgjigjur kështu: “Është një personazh shumëdimensional. Një agjent i shkëlqyer, por me një thembër Akili. Aftësia e tij për të zgjidhur enigmat, falë dhe vetëm intelektit të tij të jashtëzakontë dhe shqisës së tij deduktive, kthehet edhe kundër tij. Është një gjeni me defekte. Prandaj, Sherlock Holmes është një nga pionierët e mëdhenj të letërsisë policore”.
Pas dhjetë vjet zhurme, përfoljeje, se shteti më i ri në jug të Ballkanit, po çalon nga një ecje e mundimshme në ndërtimin e institucioneve, dhe që në embrionin e tij shtetformues “pa dashje” i është ngjizur fara e keqe e korrupsionit, një alarm ky që nxehu mjaft “gjakra” njerëzish, partish në pozitë apo opozitë, dhe për dhjetë vite me radhë po vazhdon të mbetet temë e pa demoduar.
Krejt nga kjo çfarë mund të duket e rëndësishme tani, është fillimi i krijimit të konceptit, se korrupsioni ekziston, bile në përmasa të mëdha, sa miq ndërkombëtarë pa ua zënë për të madhe në formë raportesh, deklaratash na kanë tërhequr vërejtjen për pasojat që mund t’i ketë shoqëria, sidomos ekonomia e lodhur e Kosovës në tranzicion.
Nuk ishim ne ata, fatkeqësisht, që filluam t’i shihnim këto damkosje në pasqyrë, por kjo pasqyrë na u zgjat para fytyrës sonë nga EULEX-i, i cili me apo pa fakte na vuri para një sprove shokuese, ku nuk mund mos kaplohesh nga “ ethet” për të bëmat e këqija apo të “pabëmat” që po na i mveshin dashakeqët tanë.
Sidoqoftë, disa lëvizjet për t’u bastisur personalitete të institucioneve shtetërore, hetime këto, që ngjasonin në stilin e agjentit të njohur Sherlock Holmes, e kanë bërë më tepër se enigmatike këtë situatë, me zvarritje të një përgjigjeje konkrete, e cila mund të kthehet në bumerang duke e vënë në dyshim aftësinë dhe misionin e EULEX-it. Ky kapitull i hapur, por i papërfunduar, ka nxitur debate të ndryshme brenda qytetarëve të Kosovës, kritika të (pa )bazuara dhe herë herë me tensione të rritura deri në shkallën e armiqësive, të cilat mund të “nxiten” ose shtensionohen pas bërjes publike të ndonjë vendimi eventual, i cili pritet të merret pas përmbylljes së fazës së kërkimeve të (pa)fajësisë maratonike nga Kryeprokurori special i EULEX-it, Johannes Van Vreeswijk.
Shumë çka e thënë në këtë farë zallahie lidhur me të dyshuarit për korrupsion, nuk munguan as improvizimet e tabelave me emra të “rinj” rrugësh, që shprehnin admirimin për të “parin” e luftës kundër korrupsionit, pra Sherlock Holmes-in e ri, i cili la përshtypjen në fillim, se do të jetë njeriu që këtë fenomen do të shkul nga rrënja dhe jo nga degët.
Vera e nxehtë dhe ikjet në pushime për relaks mendor dhe fizik, si duket do ta krijojnë një “tajm aut” për ta vënë dikund shpejt para organeve të drejtësisë.
Një ndjenjë e çuditshme që e ka kapluar qytetarin e rëndomtë është frika se këta nga EULEX-i, u paskan dalë më të mëdhenjtë “peshqit” sa mund të kapërdihen vetë prej tyre. Kjo të shtyn të mendosh se vërtetë askush nuk qenka mbi ligjin, por askush ende nuk po mund ta zbatoj ligjin.
Shtrohet pyetja se kush do të jetë përgjegjës nëse mbyllen pa sukses procedurat e iniciuara gjyqësore, dhe konfirmohet se ka “mungesë” të provave, dhe asgjë nuk doli nga bastisjet pa paralajmërim të pasurive dhe pronave të zyrtarëve më të lartë të institucioneve në Kosovë ?
A do të dalë EULEX me një deklaratë që t’i shfajësojë të gjithë ata, që janë përgojuar për vepra të rënda penale, keqpërdorim të mjeteve të taksapaguesve dhe t’u kërkoj falje publike qytetarëve të Kosovës për shqetësimet, grindjet që i ka mbjellë mes tyre, për zbehjen e besueshmërisë në liderët e tyre politik, përçarjet që ka tentuar t’i krijojë në skenën e zhurmshme politike.
A do të fillohet të keqkuptohet, se EULEX nuk qenka i pagabueshëm ashtu si Sherlock Holmes, edhe pse agjent me shkathtësi prej një gjeniu, por me defekte të shumta, siç do të thoshte regjisori i këtij filmi, Guy Rithcie.
A do të zgjidhet opsioni i heshtjes dhe dhënies së deklaratave tani të ngjashme, se hetimet po vazhdojnë, dhe lista e të gjithë atyre që janë të implikuar në keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kryerjen e vepra të tjera penale do të zgjerohet apo do të tkurret.
Dikush tani ka filluar të komentoj, se EULEX-it nuk po i ngutet, dhe mu atëherë kur do të pushojnë të gjitha thashethemet, ai do të bëjë një surprizë, që askush nuk mund ta dijë se sa do të jetë e këndshme. Kristofer Dell, jo rrallë e ka thënë se kjo punë do të ishte më mirë të fillohet nga vetë institucionet e Kosovës, por dimensioni i këtij fenomeni nuk është aq i lokalizuar sa mund të vihen kufij, por është i përmasave që e tejkalojnë fuqinë dhe kapacitetin e atyre njerëzve me gatishmëri për të luftuar korrupsionin.